Lidhje

Irani dhe Siria mund të jenë gati të luajnë rol pozitiv në Irak


Irani dhe Siria po dërgojnë sinjale se janë gati të luajnë një rol më të madh për të vënë nën kontroll dhunën e vazhdueshme në Irak. Teherani ka ftuar Irakun dhe Sirinë në një konferencë dhe, në të njëjtën kohë, Iraku dhe Siria kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike pas rreth çerek shekulli. Disa ekspertë e shohin si pozitiv këtë veprim, ndërsa të tjerë mbeten skeptikë. Ndërkohë Shteteve të Bashkuara po u bëhet trysni përherë e më e madhe, për të biseduar me Iranin dhe me Sirinë lidhur me çështjen e Irakut.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan u tha gazetarëve në Gjenevë këtë javë se Irani dhe Siria mund të luajnë një rol pozitiv për të ndihmuar në stabilizimin e dhunës në Irak dhe u ka kërkuar atyre të bëjnë një gjë të tilë. Shtetet e Bashkuara mbeten skeptike se Damasku, apo Teherani duan të ndihmojnë, prandaj administrata e presidentit Bush i ka akuzuar vazhdimisht të dy këto vende se kanë ndërhyrë, duke mos e ndihmuar aspak situatën dhe se kanë mbështetur terrorizimin dhe dhunën.

Vrasja e udhëheqësit të krishterë libanez në Beirut, Pierre Xhemajel, mundet ta përforcojë më tej argumentin e Washingtonit. Disa zyrtarë libanezë nuk vonuan ta akuzojnë Sirinë se ka patur gisht në vrasje, ashtu sikurse Damasku u implikua vitin e kaluar në vrasjen e kryeministrit libanez Rafik Hariri.

Megjithatë, ka një trysni në rritje ndaj Washingtonit, për të biseduar me Sirinë dhe me Iranin, sidomos lidhur me keqësimin e gjendjes në Irak.

Në një intervistë për radion britanike, ish-ambasadori i Britanisë në Washington, Christopher Meyer, tha se një dialog i tillë është i kuptimtë.

"Ka vetëm një pikëpyetje: a ndikon apo jo Siria tek ato që po ndodhin në Irak? Në se përgjigja është po, atëhere bisedimet me të janë të nevojshme".

Administrata e Presidentit Bush thotë se dialogu është i mundur, por vetëm në se Irani i ndryshon politikat. SHBA duan që Teherani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, të mos lejojë dërgimin e luftëtarëve dhe armëve në Irak dhe të mos përkrahë ato që Washingtoni i cilëson si grupe terroriste, sic është Hezbollahu në Liban. Administrata kërkon gjithashtu që Siria ta ndalë mbështetjen e grupeve terroriste dhe të ndalë gjithashtu atë që Washsingtoni e cilëson si ndërhyrje të vazhdueshme në Liban.

Zyrtarët sirianë kanë thënë vazhdimisht se duan dialog me SHBA-në. Ata kanë mohuar vazhdimisht se kanë shkatuar trazira në Liban, se kanë patur gisht në vrasje, apo se kanë mbështetur grupe terroriste.

Edhe presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad ka thënë se është i gatshëm për bisedime me SHBA-në.

"Në një konferencë shtypi kohët e fundit në Teheran, presidenti iranian tha se gjendja aktuale e marrëdhënieve mes SHA-së dhe Iranit është për faj të sjelljes së amerikanëve dhe në se ajo do të ndryshonte, Irani do të negocionte me Washingtonin".

Analisti politik iranian, Meir Javedanfar thotë se dialogu natyrisht që do të ishte i mirë, por ai paralajmëron se kjo do të kishte një cmim.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania duhet të shtojnë trysni për negociata, duke kërcënuar me sanksione ndaj udhëheqjes iraniane, por ata gjithashtu ofrojnë stimuj ekonomikë për Iranin, që ky vend t’i pakësojë kërkesat për të ardhur në tryezën e bisedimeve.

Negociatat me Iranin dhe me Sirinë pritet të jenë mes propozimeve të bëra në raportin e Grupit Studimor Amerikan për Irakun, që është në plan të publikohet muajin e ardhshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG