Lidhje

Shkupi dhe UNMIK-u komentojne per kufirin Maqedoni-Kosovë


Shkupi dhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë rënë dakord që çështja e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë duhet të sanksionohet në rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit për statusin përfundimtar të Kosovës.

Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milloshovski, i cili vizitoi sot Prishtinën, tha se vendi i tij mendon se marrëveshja për kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, e nënshkruar nga Shkupi dhe Beogradi, është njohur si e vlefshme nga Kombet e Bashkuara.

Por kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Stiven Shuk, tha pas takimit me zotin Milloshovski, se ajo që misioni në Prishtinë kërkon është gjetja e një mekanizmi, nëse jo e një zgjidhjeje në rezolutë, që lejon zgjidhjen me shumë shpejtësi të kësaj çështjeje.

Maqedonia kërkon që çështja e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës të sanksionohet përfundimisht në rezolutën e re që pritet të miratojë Këshilli i sigurimit për statusin përfundimtar të Kosovës.

Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milloshovski, i cili u takua sot në Prishtinë me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, tha se Kombet e Bashkuara e kanë pranuar tashmë vlefshmërinë e marrëveshjes për kufirin midis dy vendeve, e cila në fakt është nënshkruar midis Shkupit dhe Beogradit.

Zv.kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Stiven Shuk, ishte I një mendjeje se kjo çështje duhet të përfshihet në rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

“Të gjejmë në një mënyrë të përgjegjshme një mekanizëm, nëse jo një zgjidhje në rezolutë, që e lejon këtë që të zgjidhet me shumë shpejtësi. Kjo është ajo që duam. Ky është edhe rekomandimi ynë për të dërguarin e posacëm, do të ishte shumë e dobishme, ajo që duam të shohim është që ajo të përfshihet në rezolutë”, tha zoti Shuk.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Agim Ceku i cili u takua po sot me ministrin e jashtëm maqedonas, theksoi se me kryenegociatorin Ahtisari, Prishtina nuk ka diskutuar për çështjen e kufirit. Ministri i jashtëm maqedonas, Antonio Milloshovski, thotë se ka ardhur koha që statusi përfundimtar i Kosovës të zgjidhet dhe komenton se cili ishte qëndrimi i Maqedonisë:

“Mendoj se një status që do të kënaqte nevojat e popullsisë në Kosovë, por edhe një status që do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit. Mendoj se gjithkush e kupton se demokracia duhet të jetë një standart për Kosovën, pavarësisht nga statusi, dhe sigurisht marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë gjëja e dytë si parakusht për stabilitet në rajon”.

Duke folur për perspektivën e sigurisë dhe stabilitetit për Maqedoninë duke pasur parasysh afërsinë me Kosovën, zoti Milloshovski shprehet:

“Perceptimi është ai i një fqinji miqësor, jo vetëm kaq, por perceptimi I Kosovës në vitet e fundit është perceptimi i një tregu që është vërtetë me interes për ekonominë tonë. Dhe ne jemi të përqendruar në këtë drejtim”.

XS
SM
MD
LG