Lidhje

Presidenti irakian Talabani kërkon ndihmën e Iranit për përmirësimin e sigurisë në Irak


Presidenti irakian Xhalal Talabani kërkoi ndihmën e Iranit për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Irak.

Presidenti Talabani e bëri këtë kërkesë sot gjatë bisedimeve që zhvilloi në Teheran me Presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinexhad.

Në New York, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, tha se Iraku është afër luftës civile dhe mund të zhytet në të në rast se nuk meren masa urgjente.

Ndërkohë, autoritetet irakiane hoqën ndalim-qarkullimin në Bagdat, që u vendos para 3 ditësh pas sulmeve me bombë nga të cilët u vranë më shumë se 200 veta në lagjen shiite Sadër të kryeqytetit. Zyrtarët irakianë thanë se 6 veta humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën në sulmet e kryera në Bagdat pas heqjes së ndalim-qarkullimit sot.

Në veri të kryeqytetit, ushtria amerikane njoftoi se një aeroplan i forcave ajrore, me pilotin në bord, u rrëzua. Fati i pilotit dhe shkaku i rrëzimit të aeroplanit nuk janë njoftuar ende.

Në zhvillime të tjera, ministri britanik i mbrojtjes, Des Browne, tha se pritet që Britania të tërheqë mijëra trupa vitin e ardhshëm. Britania ka 7 mijë e 200 ushtarë në Irakun jugor. //ze//

XS
SM
MD
LG