Lidhje

PAMECA në Shqipëri tërheq vëmendjen për luften me krimin


Misioni i Asistencës Policore të Komunitetit Europian, PAMECA, vlerësoi profesionalizmin e policisë shqiptare në goditjen e kriminalitetit në Shqipëri. Shefi i këtij Misioni, Klaus Shmidt, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se megjithë mungesën e pajisjeve dhe përgatitjes teknike, policia shqiptare ka arritur rezultate domethënëse në luftën kundër krimit të organizuar. Por ai tërhoqi vëmendjen për trafikun e drogave, ku sipas tij pritet një rritje në këtë periudhë.

Situata e rendit publik ka një përmirësim të dukshëm dhe profesionalizmi i policisë shqiptare po rritet, por ka ende aq shumë punë për reformimin e këtyre forcave, sa nuk mbetet vend për entuziazëm. Kështu shprehet Klaus Shmidt, shefi i Misionit PAMECA në Shqipëri, Misioni i i Asistencës Policore të Komunitetit Europian. Zoti Shmidt thotë se sfidat në punën e policisë shqiptare janë të mëdha që nga kontrolli i kufirit, goditja e drogave dhe krimit të organizuar.

"Ka një ulje të ndjeshme të statistikave mbi trafiqet humane, për të cilat Italia ishte e shqetësuar - thotë zoti Shmidt. - Sipas të dhënave të policisë italiane, shifrat tani janë jashtëzakonisht të ulta".

Ai thotë se në kufirin me Greqinë kalojnë ende njerëz ilegalisht për të punuar atje që të mbajnë familjet, ndërsa trafiqet ilegale edhe me njerëz nga Azia, apo kurdët janë ulur.

"Shqetësimi kryesor për mua si oficer policie është trafikimi i drogave. Kjo është fusha ku tani po bëhen fitimet, dhe këto shifra nuk janë në ulje. Po të shohësh Afganistanin dhe të korrat nga zonat e inspektuara, del se jo vetëm nuk ka ulje, por do të kemi këtë fund viti e sidomos vitin tjetër një rritje të trafikut të drogës në vend. Polica duhet të përqëndrohet më fort tek kjo situatë. Siç dihet trafikantët më të famshëm janë përfshirë në këtë punë, familjet dhe klanet më të famshme janë përfshirë, policia i njeh ata dhe është detyra e saj t'i arrestojë dhe t'i cojë ata para gjyqit" - thotë shefi i PAMECA-s.

Lidhur me kultivimin e bimëve narkotike brenda Shqipërisë, zoti Shmid thotë se kjo do të ndodhë për sa kohë që fermerëve nuk u ofrohet një alternativë tjetër; kështu ata do të mbjellin bimët narkotike dhe do të përpiqen që ta shpërndajnë. Një masë e parë do të ishte që fshatarëve t'u sigurohej blerja e prodhimeve të tyre si patatet etj, ata nuk do të kishin më nevojë që të merren me drogat. Por është zgjedhur që të përdoren mjetet e forta si veprimet ushtarake dhe policore.

Nga ana tjetër, institucionet ndërkombëtare i kanë kërkuar Shqipërisë një kontroll më të mirë të kufijve. Zoti Shmid thotë se nga historia Shqipëria ka një kufi ushtarak dhe një roje ushtarake kufiri, por si në shumë vende edhe në Shqipëri ajo po zëvendësohet në 53 pikat e kalimit kufitar nga personel policor profesional. Vitin tjetër, sipas tij, policia do të kenë 3-4 helikopterë për të kontrolluar nga ajri kufirin tokësor, i cili është i vështirë nga malet dhe dimri, ndërsa kufiri detar ka vështirësi të tjera.

"Roja bregdetare është ende pjesë e marinës ushtarake. Sipas rregullave europiane, ajo duhet vendosur nën një komandë civile dhe aktualisht po diskutohen shembujt nga Gjermania, Kroacia, dhe Norvegjia për të marrë një zgjidhje sa më të mirë" - thotë zoti Shmidt.

PAMECA ka ardhur në Shqipëri qysh nga viti 1997 për të trajnuar policinë shqiptare, ndërsa gjatë këtij viti misioni ka shtuar elemente që lidhen me antiterrorizmin dhe krimin e organizuar.

"Në Shqipëri janë arritur suksese domethënëse në fushën e krimit të organizuar. - thotë zoti Shmidt. - Krimi i organizuar është një dukuri jashtëzakonisht e vështirë për t'u goditur, sidomos në kushtet kur policia nuk është plotësisht e gatshme me pajisje dhe me trajnime. Dhe në këto kushte operacionet e tyre kanë qenë shumë të suksesshme. Tani duhet të shihet se çfarë do të bëjë drejtësisa me këto raste, sepse nuk mjafton që policia të arrestojë kriminelët, por ata duhen përgjigjen përpara gjykatës".

XS
SM
MD
LG