Lidhje

Filantropia moderne në Amerikë ndjek gjurmët e traditës


Çështja e filantropisë në Amerikë tërhoqi shumë vemendjen e medias kohët e fundit kur Warren Buffet, njeriu i dytë më i pasur në botë, i dhuroi më shumë se një miliardë e 500 milion dollarë fondacionit të bamirësisë që drejtohet nga Bill Gates, më i pasuri në botë. Kjo ngjarje u bë shkak për hamendje të shumta. U shprehën mendime se në funksionet bamirëse të korporatave po shfaqen elementë të rinj krijues. Por Bill Gates-i po ndjek më tepër një traditë të vjetër të filantropisë amerikane se sa po e revolucionarizon atë.

Duke parë shkatërrimin që ka sjellë Sida në Afrikë, Fondacioni Bill dhe Melinda Gates premtoi 500 milion dollarë për shpërndarjen e ilaçeve kundër HIV-it te më shumë se 500 mijë njerëz. Ata janë zotuar të bëjnë edhe më tepër se kaq.

“Sida po rëndohet çdo vit. Duhet të japim ilaçet më të rinj, duhet të ndërhyjmë. Kjo krizë është një nga përparësitë kryesore të Fondacionit Bill dhe Melinda Gates”.

Miku i tij miliarder, Warren Buffet u impresionua aq shumë nga puna e Fondacionit Gates saqë dhuroi 1 presje 6 miliardë dollarë për këtë qëllim.

“Dukej qartë se një mendje e shquar me objektivat e duhura, kishte përqëndruar tërë pasionin për të përmirësuar jetën e shumë të tjerëve në botë pa dallim gjinie, feje, ngjyre, rajoni – thjesht për t’u bërë mirë sa më shumë njerëzve”.

Gates dhe Buffet i shtohen radhës së gjatë të filantropëve të pasur amerikanë. Në fillim të shekullit 20, industrialisti Andrew Carnegie dhe John D. Rockefeller krijuan modelin e fondacioneve jo-fitimprurëse të kohës moderne. Organizatat e tyre ishin strukturuar si korporatat, por objektivi ishte t’i shërbenin publikut. Projektet e tyre të para ishin ndërtimi i biblotekave dhe spitaleve. Stacey Palmer, redaktore e gazetës Chronicle of Philanthropy, thotë se industrialistët e parë ishin të intriguar nga përpjekjet për të zgjidhur problemet e vjetra me teknologjinë dhe shkencën e re.

“Ishte gjithashtu mendimi se gjerat në shoqëri mund të ndryshoheshin. Ne kishim tashmë ide shkencore se si mund të ndryshohej bota dhe po mësonim si ta realizonim këtë. Kështu lindi shkenca moderne sociale dhe filantropët u kapën pas saj menjëherë”.

Modeli i filantropisë i bazuar mbi shkencën e korporatave sigurisht nuk ka qënë pa debate. Deri në vitet 30, Fondacioni Rockefeller financoi programet e eugjenisë si në Shtetet e Bashkuara edhe në Gjermaninë naziste duke mbështetur sterilizimin e detyruar të personave me difekte gjenetike. Kritikët thonë se Hitleri më vonë i përdori këto kërkime për të justifikuar vrasjen e hebrenjve dhe racave të tjera që i konsideronte inferiore. Natyrisht, ky ishte një rast ektrem, por William Shambra, drejtor i Qendrës për Filantropinë në Institutin Hudson thotë se fondacionet zakonisht e teprojnë kur përpiqen të zgjidhin shkaqet e problemeve sociale.

Ai thotë se fondacionet veprojnë më mirë kur punojnë me organizatat në bazë për të zbutur vuajtjet e njerëzve. Shambra thotë gjithashtu se fondacionet duhet të ruhen nga “lajkat korruptive”, siç i quan ai, të njerëzve që kërkojnë të nxjerrin fitime.

“Në filantropi është e vështirë të gjesh menaxherë të ndershëm. Sapo bëhesh drejtues programesh në një fondacion bamirës, njerëzit fillojnë të bëjnë lajka, qeshin me shakatë e tua, të lavdërojnë për mprehtësinë e mendimit dhe për pyetjet interesante që bën”.

Një nga avantazhet më të mëdha të organizatave private bamirëse është shpejtësia me të cilën ato janë në gjendje t’u përgjigjen krizave. Pas uraganit Katrina, kishat dhe organizatat bamirëse u dhanë ndihmë banorëve para se të arrinte ndihma e qeverisë. Megjithatë, Stacey Palmer thotë se fondacionet nuk mund të zëvendësojnë përgjigjen e qeverisë për nevojat afatgjata.

“Shpeshherë njerëzit pyesin se përse filantropët nuk kujdesen për krizën e sigurimit shëndetësor, kur dihet që shumë amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore. Mirëpo paratë e bamirësve nuk mjaftojnë për të zgjidhur këtë problem brenda një viti. Kështu që për disa nga këto probleme janë të nevojshme zgjidhje nga qeveria”.

Palmer thotë se përveç punës së mirë që bëjnë, Bill Gates-i dhe filantropë të tjerë ndikojnë edhe mbi politikat publike duke e përqëndruar vëmendjen e botës te problemet e rëndësishme sociale dhe zgjidhja e tyre.

XS
SM
MD
LG