Lidhje

Tiranë: Vendet e Nismës së Evropës Qendrore diskutojnë për integrimin Euro-Atlantik


Në Tiranë u zhvillua sot takimi i kryetarëve të qeverive të vendeve të Nismës së Europës Qendrore ku Shqipëria kishte presidencën e radhës. Në takimin e nivelit të lartë u diskutua për temat e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve anëtare në kontekstin e integrimit Euroatlantik. Kryeministri Sali Berisha bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve të fundit në Shqipëri duke bërë thirrje të gjithë shteteve pjesmarrëse për të investuar në Shqipëri. Nje vend të veçantë në fjalën e kryeministrit shqiptar zuri çështja e Kosovës ku ai deklaroi se çdo shtyrje e mëtejshme e përcaktimit të statusit do të rrisë rrezikun për prishjen e stabilitetit në rajon.

Nisma e vendeve të Europës Qëndrore përfshin në gjirin e saj 18 shtete. Që nga janari i vitit të ardhshëm gjysma e vendeve pjesmarrëse do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Shqipëria mbylli njëvjeçarin e kryesimit të kësaj nisme, e fokusuar në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare.

Presidenca shqiptare mori sot vlerësime pozitive nga përfaqësuesit e vendeve anëtare. Në takimin e nivelit të lartë që pasoi forumin ekonomik dhe takimin e ministrave të ekonomisë mblodhi në Tiranë 5 kryeministra si dhe organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Kryeministri Sali Berisha, ndërsa bëri një pasqyrë të aktiviteteve të organizuara nën drejtimin shqiptar të nismës, prezantoi edhe objektivat kryesorë të qeverisë së drejtuar prej tij që nga ato që lidhen me integrimin euratlantik deri te reformat dhe nismat ekonomike si ajo Shqipëria një Euro. Kryeministri shqiptar i bëri një ftesë të hapur vendeve anëtare të investonin në Shqipëri duke shfrytëzuar mundësitë që vendi ofron për biznesin.

Një pjesë e mirë e fjalës së kryeministrit shqiptar iu kushtua çështjes së Kosovës. Siç shpjegoi edhe më pas, zoti Berisha, Nisma e Europës qëndrore ka në themel të saj paqen dhe stabilitetin dhe sot saktësoi ai, Kosova përfaqëson një çështje themelore. Ai rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare se statusi i Kosovës duhet të respektojë vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi dhe se kjo është e lidhur me stabilitetin e Shqipërisë vendeve fqinj dhe paqes në të gjithë rajonin.

Zoti Berisha tha gjithashtu se çdo shtyrje e mëtejshme e përcaktimit të statusit do të rriste rrezikun e prishjes se stabilitetit në rajon. Kosova shtoi më tej kryeministri Sali Berisha ka nevojë të ngutshme për investime, zhvillim ekonomik bazuar në një treg të lirë e të konsoliduar të cilat tha ai janë frenuar nga mungesa e statusit.

Zoti Berisha ripërsëriti qëndrimin për domosdoshmërinë e një shteti multietnik ku të respektohen të drejtat e pakicave serbe dhe pakicave të tjera. Serbia, tha më tej kryeministri ka shansin real që të kontribuojë duke nxitur serbët e Kosovës të qëndrojnë atje, të ndërtyojnë jetën e tyre në një vend të lirë dhe të mos manipulohen e bien viktima të ideologjive dhe grupeve antishqiptare ultranacionalistëve serbe. Zoti Berisha i mëshoi gjithashtu idesë së mosprekjes së kufijve dhe mos ndarjes së Kosovës.

XS
SM
MD
LG