Lidhje

Presidenti Bush do të vizitojë Evropën për të marrë pjesë në takimin e Natos në Riga


Afganistani do të jetë në krye të rendit të ditës, ndërkohë që aleanca po drejton aktualisht forcën ndërkombëtare që po mbështet qeverinë e Presidentit Hamid Karzai.

Xhudi Anslej, drejtore për çështjet evropiane në këshillin e sigurimit pranë Shtëpisë së Bardhë, thotë se misioni në Afganistan po shkon mirë dhe se samiti i Natos është shans për Presidentin Bush të takohet me udhëheqës për të garantuar që misioni do të vazhdojë të përparojë. “Dihet se ka patur sfida që lidhen me shtrirjen e kontrollit të qeverisë në jug të Afganistanit, ku forcave të e Natos u është dashur të përballen me talebanët. Por Nato-ja ka funksionuar shumë mirë, dhe kryesorja tani është të garantohet angazhimi i aleancës ndaj misionit, që është i rëndësishëm jo vetëm për Afganistasnin, por edhe për sigurimin në Perëndim, dhe që të vazhdojë deri në përmbushjen e tij”.

Ndërkohë që 11 vende jo-anëtare të Natos kanë kontribuar me trupa në Afganistan, zonja Anslej thotë se Presidenti Bush beson se nevojitet një angazhim afatgjatë për të integruar më mirë disa vende jo-antëare të aleancës.

Në samitin e Letonisë, udhëheqës të Natos pritet të ftojnë Japoninë, Australinë, Korenë e Jugut, Suedinë dhe Finlandën për të bashkëpunuar më ngushtë në stërvitje, përfshirë forcat e operacioneve speciale.

Pritet gjithashtu të arrihet një marrëveshje përmes së cilës 14 vende-anëtare të Natos plus Suedinë do të blejnë avionë amerikanë C-17 për transportim trupash dhe mjetesh në kuadër të një nisme të bashkërenduar për ura strategjike ajrore.

Shqipëria, Maqedonia, Azerbaixhani, Ukraina dhe Gjeorgjia po shpresojnë të anëtarësohen në Nato. Zonja Anslej thotë se nuk pritet që në takimin e Rigës të shpallet ndonjë anëtar i ri.

Pas mbledhjes Presidenti Bush do të udhëtojë për në Jordani për bisedime me kryeministrin irakian, Nouri al-Maliki. //az//

XS
SM
MD
LG