Lidhje

Projekt ndërkombëtar për prodhimin e energjisë me proces termobërthamor


Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 30 vende nënshkruan një marrëveshje për një projekt prej 13 miliardë dollarësh, që synon prodhimin e energjisë përmes procesit termobërthamor. Në ceremoninë e nënshkrimit në Paris, ata pranuan të bashkëpunojnë për ndërtimin e një reaktori eksperimental, duke synuar të imitojnë mënyrën e prodhimit të energjisë tek yjet, me shpresën se më në fund, do të arrijnë të zbulojnë një burim të bollshëm, të lirë, të pastër dhe të sigurt energjie.

Partneriteti bashkon forcat e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Japonisë, Rusisë, Kinës, Koresë së Jugut dhe Indisë, për ndërtimin e një reaktori eksperimental termobërthamor, në Francën jugore.

Përfaqësuesi amerikan në ceremoninë e nënshkrimit, Reimond Orbak, thotë se ky është një projekt i pashembullt, që synon përmirësimin e situatës energjitke në botë, që deri tani varet nga karburantet fosilë, si nafta dhe qymyri.

“Reaktori ka potencialin të çlirojë popullatën dhe ekonominë globale në rritje, nga frenimet shqetësuese për pakësimin e rezervave energjitike si dhe ndikimet negative të ndotjes së mjedisit.”

Ideja për ndërtimin e reaktorit u hodh në vitin 1985 me një marrëveshje amerikano-sovjetike, gjatë takimit të nivelit të lartë në Gjenevë. Ajo ishte rezultati i një plani për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, në përpjekje për të ulur tensionet e Luftës së Ftohtë. Vende të tjera morën pjesë më vonë.

Po në vitin 1998 Kongresi, e urdhëroi qeverinë amerikane të tërhiqej sepse e konsideroi shumë të lartë koston për ndërtimin e reaktorit. Duke u vënë përballë me një rënie të madhe të buxhetit, vendet që mbetën në marrëveshje projektuan përsëri reaktorin duke përgjysmuar koston dhe duke tërhequr përsëri vëmendjen e Shteteve të Bashkuara që u rikthyen në të në vitin 2003.

Debati mbi vendin ku do të ndërtohej reaktori ishte një burim tjetër fërkimesh politike. Vendet që e kërkonin më shumë ishin Franca dhe Japonia. Vitin e kaluar u vendos që reaktori të ndërtohej në Francë. Në shkëmbim, Japonia do të paguajë më pak për ndërtimin e tij dhe do të përfitojë më shumë, përfshirë postin e drejtorit të përgjithshëm të reaktorit.

Pas përfundimit të marrëveshjes, përfaqësuesi amerikan, Reimond Orbak tha se projekti mund të përpiqet të propdhojë energji të ngjashme me atë të yjeve.

“Procesi termobërthamor është një nga mënyrat më të fuqishme për prodhimin e energjisë që ka sajuar natyra. Si shembull mund të merret energjia e yjeve ose e diellit. Ne po mundohemi ta shfrytëzojmë këtë aftësi të shkëlqyer të natyrës që bën të mundur jetën në Tokë.”

Sipas metodës termobërthamore, bërthamat e elementëve të lehtë, si hidrogjeni, bashkohen për të formuar elementë më të rëndë, si heliumi. Ky proces bashkimi çliron sasi tepër të mëdha energjie. Metoda që përdoret sot për prodhimin e energjisë bërthamore është ajo e ndarjes të atomeve. Energjia e prodhuar nga procesi termobërthamor është energji e pastër, ajo nuk prodhon materiale radioaktive, dhe po ashtu nuk shkakton ndotje mjedisi, siç ndodh me djegien e karburantëve fosilë. Hidrogjeni për reaktorin e ri do të sigurohet nga uji.

Reaktori do të përdorë bobina magnetike për të elektrizuar një përbërje pjesëzash të ngarkuara, duke arritur temperaturën e lartë të mjaftueshme për krijimin e reaksionit të bashkimit të bërthamave, siç ndodh brenda yjeve.

Grupet e mjedisit e kundërshtojnë projektin. Erik Pika nga organizata Miqtë e Tokës, thotë se projekti është një humbje parash, për një shpresë të vogël për prodhimin e energjisë nëpërmjet kësaj metode.

Por Reimond Orbak, drejtori shkencor i Departamentit Amerikan të Energjisë, thotë se do të ishte çmenduri të mos vazhdoje kërkimet për prodhimin e energjisë.

Plani 8 vjeçar për ndërtimin e reaktorit do të fillojë vitin e ardhëshëm. Zyrtarët thonë se shpresojnë që reaktori të jetë në gjendje pune brenda vitit 2040. Ata parashikojnë se nëse çdo gjë shkon mirë 10 deri në 20 përqind të energjisë botërore do të prodhohet nëpërmjet metodës termobërthamnore deri nga fundi i shekullit.

XS
SM
MD
LG