Lidhje

Takimi i nivelit të lartë të NATO-s, i pari në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik


Për herë të parë Natoja do të zhvillojë një nga takimet e saj të nivelit të lartë në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Takimi fillon më 28 nëntor në Riga të Letonisë.

Një numër çështjesh pritet të jenë në rendin e ditës, përfshirë edhe dislokimin e forcave në Afganistan, ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore, zgjerimin e Natos dhe sigurinë e furnizimit energjetik.

Analistët thonë se takimi i ardhshëm i Natos në Rigë nuk ka të ngjarë të sjellë ndonjë përmirësim në marrëdhëniet e ftohta, por të qëndrueshme ndërmjet Rusisë dhe Aleancës.

Pas vendimit për të pranuar vende baltike në NATO në vitin 2004, Ukraina, dikuar aleate e afërt e Rusisë, ka shprehur dëshirën për antarësim.

Kremili u irritua gjithashtu nga vendimi i fundit i Natos për të filluar dialog intensiv me Gjeorgjinë. Presidenti gjeorgjian Mikhail Sakashvili është zotuar ta fusë vendin e tij në aleancë brenda vitit 2008. Megjithatë, analistët thonë se nuk pritet të merret ndonjë vendim i prerë për antarësimin e Gjeorgjisë.

Pavel Felgenhauer, një analist ushtarak i pavarur në Moskë, thotë se sa më shumë forcohen marrëdhëniet e Natos me ish-republikat sovjetike, aq më tepër pritet të keqësohen marrëdhëniet e saj me Rusinë.

"Për shumë vende që janë pranë Rusisë, si vendet e pellgut të Baltikut, Polonia, Moldavia dhe anëtare të mundshme të aleancës si Ukraina dhe Gjeorgjia, si dhe për politikanë të vendeve të Natos, Aleanca është një garanci që këto vende nuk do të jenë në sferën ruse të influencës. Për këtë arsye Rusia dhe Natoja janë armike dhe nuk janë në gjendje të formojnë marrëdhënie të mira, dhe e vetmja gjë që kanë arritur është ky bashkëpunim i ftohtë me njëra-tjetrën".

Ka edhe shqetësime nga vartësia në rritje e Evropës për burimet ruse energjetike. Monopoli shtetëror rus i prodhimit të gazit, Gazprom, mbulon aktualisht afro 25 për qind të nevojave evropiane për gaz.

Evgeni Volk kryeson zyrën ruse në Fondacionin Heritage. Ai thotë se problemi i sigurimit të energjisë do të jetë në rendin e ditës në takimin e Natos:

"Ky problem është gjithashtu pjesë e autoritetit të Natos. Vendet e Aleancës mund të dëshirojnë të gjejnë edhe burime të tjera energjie, që të mos mbështeten kaq shumë tek Rusia. Ky është një faktor shumë i ndërlikuar, sidomos kur kemi parasysh rritjen e çmimeve të karburantit".

Kohët e fundit Rusia duket se ka shfrytëzuar rolin dominues si furnizuese gazi për të ushtruar trysni ndaj vendeve si Ukraina dhe Gjeorgjia duke i kërcënuar të ndërpresë furnizimin. Rusia e justifikon këtë veprim si rezultat i mosmarrëveshjeve për çmimet, por vëzhguesit thonë se arsyeja ishte pakënaqësia e Rusisë me revolucionet që shpërthyen në ish-republikat sovjetike dhe sollën në pushtet qeveri pro-perëndimore.

Nuk janë vetëm qeveritë pro-perëndimore që konsiderohen si rrezik ndaj interesave ruse këto ditë. Në prag të takimit të nivelit të lartë të Natos në Rigë, disa politikanë rusë kanë shprehur përsëri shqetësimin e tyre lidhur me “Natyrën agresive të Aleancës” dhe masat që Rusia duhet të marrë për të neutralizuar atë që e konsiderojnë si kërcënim që sjell zgjerimi i Natos.

Analistët thonë se takimi i ardhshëm do të ndiqet me vëmendje nga Kremlini pasi ka të ngjarë të diktojë tonin e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Natos në të ardhmen e afërt. //ze//

XS
SM
MD
LG