Lidhje

Autoritetet britanike përpiqen të gjejnë mënyrën e helmimit për vdekje të një ish spiuni të KGB-së


Zyrtarë të lartë të sigurimit dhe të qeverisë britanike takohen përsëri sot për të diskutuar mbi helmimin për vdekje të një ish spiuni rus me një substancë radioaktive.

Takimi i komitetit elitë të emergjencave të Britanisë, i njohur si COBRA, zhvillohet në përgjigje të vdekjes të enjten të Aleksandër Litvinenkos. Autoritetet në Londër thanë se 43 vjeçari Litvinenko vdiq nga një dozë e rëndë e një elementi radioaktiv polonium 210.

Policia e Londrës po përpiqet të përcaktojë të gjitha lëvizjet e Litvinenkos që nga 1 nëntori, kur ai u sëmur.

Substanca e rrallë u gjet në urinën e Litvinenkos, në shtëpinë e tij dhe në hotelin dhe restorantin që kishte vizituar ditën që ishte sëmurur.

Ish agjenti i KGB-së fajësoi presidentin rus Vladimir Putin para se të vdiste të enjten se kishte dhënë urdhër për vrasjen e tij, akuzë që Moska e ka mohuar. Vetë presidenti Putin e quajti vdekjen e Litvinenkos tragjike.

Qeveria britanike i ka kërkuar zyrtarisht Rusisë çdo informacion që mund të ketë, i cili do të ndihmojë hetimet rreth vdekjes së ish agjentit të KGB-së. Litvinenko mori shtetësinë britanike muajin e kaluar, pasi iku nga Rusia në Britani para 6 vjetësh. //ze//

XS
SM
MD
LG