Lidhje

Presidenti Bush thekson mbështetjen e SHBA-së për zgjerimin e NATO-s

  • Skot Stërns

Presidenti Bush dhe udhëheqësit e NATO-s pritet të diskutojnë lidhur me misionin në Afganistan dhe perspektivat për zgjerimin e aleancës kur të takohen sot në Letoni. Ndërkohë që misioni në Afganistan do të mbizotërojë këtë takim të nivelit të lartë, 26 vendet anëtare do të diskutojnë edhe çështjen të tjera.

Ndërsa forca nga 11 vende janë bashkuar me mbi 30 mijë trupat e NATO-s në Afganistan, aleanca po e shton bashkëpunimin me vende jo-anëtare.

Japonia, Australia, Koreja e Jugut, Suedija dhe Finlanda do të ftohen të stërviten më nga afër me trupat e NATO-s, duke përfshirë edhe forcat e operacioneve speciale.

NATO-ja do të fillojë një program për stërvitjen e forcave ushtarake në Lindjen e Mesme në operacione kundër terrorizmit, kundër përhapjes së armëve dhe në operacione paqëruajtëse.

Pritet gjithashtu të krijohet një forcë e përgjigjes së shpejtë me trupa nga anëtarët evropianë, të cilët do të jenë gati të dislokojnë më shumë trupa me shpejtësi në zona të turbullta të globit.

Pasi aleanca ndër-atlantike pranoi Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Bullgarinë, Sllovakinë dhe Slloveninë në vitin 2002, në këtë takim të nivelit të lartë NATO-ja nuk do të pranojë anëtarë të rinj.

Por presidenti amerikan George W. Bush tha se ai pret që kjo të ndryshojë në vitin 2008.

“Sot, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria marrin pjesë në planin për veprim të anëtarësisë së NATO-s, madje Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në aleancën atlantike.”

Sipas lajmeve, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia mund të ftohen në takimin e Rigës për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara besojnë në anëtarësimin në NATO për të gjitha demokracitë evropiane, të cilat janë gati të ndajnë përgjegjësitë e aleancës.

Ky qëndrim u prit me shqetësim nga Rusia, veçanërisht ndërsa vendet e ish Bashkimit Sovjetik anëtarësohen në një aleancë, që u krijua gjatë luftës së ftohtë për të kontrolluar ekspansionizmin sovjetik.

Tani që kërcënimi sovjetik nuk ekziston më, presidenti Bush tha se vazhdimi i bashkëpunimit midis NATO-s dhe Rusisë forcon sigurimin e përbashkët dhe çon përpara kauzën e paqes.

“Ne e pranojmë se Rusia është një vend jetësor e i rëndësishëm dhe se është në interesin tonë që të shtojnë bashkëpuinimin me Rusinë në fusha të tilla si kundër terrorizmi dhe parandalimi i përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.”

Zoti Bush tha se ai mbështet udhëheqësit ukrainas, ndërsa ata përpiqen të luftojnë korrupsionin dhe të nxisin shtetin juridik. Por ndërsa NATO-ja ndihmon demokracitë e reja, presidenti amerikan tha se takimi i Letonisë nuk duhet të harrojë ata që vazhdojnë të vuajnë në tirani.

“Matanë kufirit këtu është Bjellorusia, një vend ku protestuesit paqësorë rrihen dhe udhëheqësit e opozitës zhduken nga agjentë të një regjimi të pamëshirshëm.”

Zoti Bush tha se vizioni i një Evrope të bashkuar, e lirë dhe në paqe përfshin popullin e Bjellorusisë dhe NATO-ja mbështet atë popull në luftën e tij për liri. //ze//

XS
SM
MD
LG