Lidhje

Bugajski: Polarizimi i theksuar politik në Shqipëri bëhet pengesë në përparimin e vendit


Polarizimi i theksuar politik në Shqipëri është shpesh pengesë për përparimin e vendit dhe mund të rrezikojë edhe përpjekjet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thotë analisti për problemet ballkanike, Janush Bugajski. Në një intervistë për "Ditarin". Zoti Bugajski thotë gjithashtu se për Shqipërinë, ashtu sikurse për çdo vend ish-komunist, është e nevojshme të zbulohen dhe të mbahen përgjegjës personat që kanë kryer krime ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, zgjedhjet lokale në Shqipëri pritet të mbahen në janar, dhe ende nuk ka një datë të caktuar për zhvillimin e tyre. Në raportin e javë së kaluar OSBE-ja e kritikonte Shqipërinë për vonesa në elementë të veçantë të procesit zgjedhor. A rrezikon që edhe këtë herë Shqipëria të mos arrijë të ketë zgjedhje të drejta dhe të lira, sipas kërkesave të komunitetit ndërkombëtar?

Janush Bugajski: E rëndësishme është që zgjedhjet të zhvillohen sipas planit, qofshin ato të përgjithshme, apo lokale. Është gjithashtu e rëndësishme që data të caktohet sa më shpejt, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për logjistikën e zgjedhjeve, por edhe për fushatat elektorale. Fundi i janarit po afron, prandaj, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të fillojë fushata. Përsa u përket standarteve, ato nuk kanë të bëjnë vetëm me caktimin e datës, por me mbarë procesin, me mbulimin e tij nga shtypi e me vetë partitë. Do të thoja që këto janë disa nga çështjet që OSBE-ja duhet të ketë parasysh, krahas me financimin e fushatave, numërimin e votave, shpalljen e rezultateve e të tjera.

Zëri i Amerikës: Përse mendoni që në Shqipëri zhvillohet një politikë e tillë konfliktuale, dhe palët nuk bien dakord edhe për çështje që lidhen me të ardhmen evropiane të vendit?

Janush Bugajski: Fatkeqësisht, Shqipëria ka qenë tepër e polarizuar politikisht gjatë viteve të fundi, të paktën që nga rënia e komunizimit. Duhet një sistem i fuqishëm shumëpartiak, por jo që t’i polarizojë njerëzit, që t’i bëjë ata të votojnë për partitë dhe jo për politikat e tyre, në mungesë të një partie të tretë me peshë. Është e vërtetë, që Shqipëria është një nga vendet më të polarizuara politikisht të Evropës Lindore, kjo pengon përparimin në fusha të tjera, si legjislacioni, lufta kundër krimit, që janë në fakt çështjet që duhet të ketë parasysh Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo do të ndikonte negativisht në përpjekjet e vendit drejt së ardhmes evropiane?

Janush Bugajski: Ekziston një rrezik, që polarizimi të cojë në një ndarje të tillë partiake, që asgjë nuk mund të miratohet në Parlament, që çështjet kryesore, sic janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk preken, që legjislacioni i nevojshëm për arritjen e këtyre nuk zbatohet, që debati publik të jetë kaq i politizuar, saqë nuk lejon të kryhet puna. Ky është një problem për Shqipërinë, ashtu sikurse edhe për vende të tjera, që mundet ta pengojë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri kohët e fundit Parlamenti miratoi rezolutën e kërkuar nga Këshilli i Evropës, për dënimin e krimeve të komunizimit. Gjatë disktutimit për këtë çështja u hap një debat lidhur me hapjen e dosjeve të komunizmit. Sipas mendimit tuaj, cila do të ishte vlera e hapjes së dosjeve dhe si është vepruar në vende të tjera evropiane?

Janush Bugajski: Mendoj se është e rëndësishme për cdo vend ish-komunist zbulimi i plotë i llojeve të ndryshme të krimeve që janë kryer kundër popullsisë dhe kundërshtarëve politikë, se kush është përgjegjës për to. Dhe në se ka raste kur bëhet fjalë për fajtorë, ata të ndëshkohen. Kjo çështje komplikohet më tej kur është fjala për bashkëpunëtorë me aparatin dhe me ish-partinë komuniste, me ish-regjimin; dhe unë kam shumë dyshime se emrat e një numri të madh njerëzish kanë qenë tek dosjet e fshehura nga komunistët; vec kësaj, është problemi, a janë mbajtur me saktësi të gjitha dosjet, me emrat e njerëzve të implikuar apo janë ndryshuar ato? Pra hapja thjesht e të gjitha dosjeve menjëherë, dhe kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera, krijon mundësinë e keq-informimit, apo mosinformimit, apo njerëz të akuzuar gabimisht, siç është rasti i ish-udhëheqësit polak të opozitës, të akuzuar për një lloj bashkëpunimi me policinë sekrete. Kam shumë dyshime se si do të manipulohet kjo çështje politikisht, dhe për saktësinë e një numri të madh të këtyre dosjeve; pra mendoj se duhet zhvilluar një proces i plotë verifikimi, një hetim i plotë i dosjeve. Në disa vende, psh, ka patur njerëz që donin të njiheshin me dosjet e tyre. Një tjetër çështje, është ajo e pushtetarëve. Në ç’masë kanë bashkëpunuar ata me strukturat e vjetra të komunizimit; në këtë rast, veprojnë rregulla të ndryshme për vende të ndryshme. Në Republikën Çeke, për shembull, atyre që kishin bashkëpunuar me policinë sekrete iu ndalua për 3 vjet pjesëmarrja në administratë. Në vende të tjera, si Polonia, varej nga individi për të treguar vetë se çfarë kishte bërë, dhe në se veprat e tyre nuk kishin qenë kriminale, ata u lejuan ta mbajnë pozitën e tyre, por ne se kishin gënjyer, atëhere u shkakrkuan nga detyra. Kjo është një çështje komplekse, dhe mendoj se Shqipëria duhet ta trajtojë në mënyrë të tillë që të ndalojë polarizimin politik. Një pjesë e rasteve duhet të zgjidhen me proces gjyqësor; pastaj, në se dosjet zbulojnë që personat e implikuar janë në pushtet dhe janë përgjegjës për tortura dhe keqtrajtime të kundërshtarëve të tyre politikë, këta njerëz duhet të mbahen përgjegjës. Por kur bëhet fjalë për informatorë, dhe do të shtoja se si të tillë u përdorën shumë njerëz, në këtë rast duhet patur kujdes.

XS
SM
MD
LG