Lidhje

Shqiptarët e Nju Jorkut ngrenë flamurin kuq e zi në Manhatan


Shqiptarët e Nju Jorkut ngritën dje flamurin kuq e zi në zemrën e lagjes financiare të Manhatanit. Ishte hera e parë që flamuri shqiptar ngrihej zyrtarisht në një shesh publik të Nju Jorkut. Në ceremoni morën pjesë dhjetra vetë.

Dje, me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë, flamuri kuq e zi u ngrit në Bowling Green, njëri prej vendeve historikë të Nju Jorkut, në zemër të distriktit financiar. Dita e djeshme mblodhi të vjetër dhe të rinj dhe në sheshin pranë parkut Bowling Green, mbizotëronin simbolet e flamurit. Organizator ishte Instituti Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Akademia e Arteve dhe e Shkencave Shqiptaro-Amerikane.

Kryetari i Akademisë, Prof. Dr. Skënder Kodra tha në ceremoni se “secili brez, me veprën e vet atdhetare, e ka qendisur më tej flamurin kombëtar”. Myslim Ruci, Nënpresident i Institutit Gjergj Kastrioti Skënderbej, tha se “është diçka e bukur që në mesin e Nju Jorkut, një qytet botëror, të ngrihet flamuri shqiptar”.

Flamuri shqiptar, i cili u ngrit solemnisht nën tingujt e hymnit nga pjestarë të Batalionit “Atllantik”, që luftoi në Kosovë në vitin 1999, do të qendrojë këtu disa ditë krahas flamurit amerikan. Kjo është ngritja zyrtare e flamurit por jo hera e parë që një simbol shqiptar valvitet në këtë shesh. Para 9 vjetësh, tre persona e ngritën flamurin shqiptar pa leje pikërisht në Bowling Green dhe ai u hoq nga autoritetet.

Midis tyre, Gani Nesimi dhe Arthur Piccolo tregojnë se si u lindi ideja në atë kohë që një flamur shqiptar të ngrihej në këtë shesh historik për Nju Jorkun dhe tregojnë me krenari një fotografi të atij akti. Organizatorët thonë se shpresojnë të sensibilizojnë të rinjtë e komunitetit, që ata të mos e harrojnë prejardhjen e tyre dhe bashkë me të një simbol - flamurin kuq e zi. //rd//

XS
SM
MD
LG