Lidhje

President Sejdiu: Dhuna nuk do të ishte në interes të Kosovës


Në një intervistë eksluzive për Zërin e Amerikës, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se mbështetja te dhuna nuk është në interes të Kosovës. Zoti Sejdiu i dha fund sot një vizite në Nju Jork, gjatë së cilës ai pati takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, Nënsekretarin amerikan të shtetit Nicholas Burns dhe kryenegociatorin e OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Në Prishtinë pati protesta me dhunë. Sa të mëdha janë gjasat për një destabilizim të gjendjes në Kosovë, për shembull nga elementë që mund të mos jenë të kënaqur me propozimin e zotit Ahtisari.

Presidenti Sejdiu: Ajo që është e rëndësishme për ne është se ne kemi nevojë për një stabilitet të përgjithshëm sepse kemi bërë një investim të rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sepse stabiliteti i përgjithshëm është në interes të së ardhmes së Kosovës. Me këtë rast unë nuk mohoj të drejtën e grupeve të qytetarëve dhe të shoqërisë civile që të shpallin qendrimet e tyre apo të japin reagimet e tyre, por është shumë e natyrshme që të bëj thirrje për një stabilitet dhe për kapërcimin e dhunës apo të aspekteve të tjera të cilat në një formë apo në një tjetër do ta prishnin rendin e përgjithshëm dhe qetësinë publike dhe nuk janë në interesin tonë. Bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe me forcat politike në vend, ne do të angazhohemi që ky stabilitet i përgjithshëm të jetë në funksion të pavarësisë së Kosovës dhe së ardhmes së saj.

Zëri i Amerikës: Pala shqiptare ka bashkëpunuar ngushtë me zotin Ahtisari për çështjen e statusit. A keni ndërmend të pranoni pa kushte paketën e propozimve të tij.

Presidenti Sejdiu: Ne nuk kemi sinjale se si do të jetë paketa e tij. Ne kemi sinjalet apo qasjet tona në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe me zotin Ahtisari. Vizioni ynë politik ka qenë i përcaktuar që nga fillimi dhe ne këmbëngulim në këtë qasje që kemi për pavarësinë e plotë të Kosovës dhe natyrisht do të kemi parasysh edhe garancitë që do të japim për komunitetet pakicë në Kosovë. Ne dëshirojmë që kjo të jetë një paketë me substancë të qendrueshme, që do të përputhej me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe që hap perspektivën e zhvillimeve sidomos në’ procesin e integrimeve. Për ne, po ashtu është e rëndësishme që kemi shfaqur nga fillimi nevojën e një pranie të lehtë civile në Kosovë si dhe nevojën e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë si faktor i rëndësishëm i stabilitetit brenda Kosovës por edhe stabilitetit rajonal.

Zëri i Amerikës: Rusia po del si një kundërshtare aktive e pavarësisë së Kosovës me tezën e saj të një reaksioni të ashtuquajtur zinxhir që mund të shkaktonte një pavarësi e Kosovës. Si e parashikoni një ndeshje të ardhëshme diplomatike me Rusinë. A ju shqetëson kjo gjë?

Presidenti Sejdiu: Mund të them qysh në fillim se ne e çmojmë rolin që ka pasur Rusia në procesin e bisedimeve dhe në Grupin e Kontaktit, sepse është anëtare e përbashkët me vendet e tjera, me pesëshen e rëndësishme. Ne mendojmë se Rusia nuk do të shkëputet nga një bashkëpunim i tillë duke patur parasysh nevojën që qasja e re e saj për stabilitet të përgjithshëm të jetë e mbështetur. Në këtë rast Kosova e pavarur do të faktorizohet në këtë kuptim si një vend që do të gjenerojë stabilitet të përgjithshëm dhe rajonal me nevojën e fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit. Së dyti, Kosova është rast më vete dhe nuk mund të jetë precedent për zhvillime të tjera zinxhirore. Kujtoj se Rusia do të ketë parasysh pikërisht këtë vizion të së ardhmes së Ballkanit Perëndimor, këtij rajoni të ndjeshëm të Evropës juglindore.

Zëri i Amerikës: Mendoni se një shtyrje e mëtejshme e procesit, nëse ndodh, do të bënte që palët të tërhiqeshin nga ato kompromise, ndonëse të pakta, që janë arritur në bisedime deri tani?

Presidenti Sejdiu: Për ne është e rëndësishme që i mbetemi besnikë asaj qasjeje që kemi patur dhe dëshirojmë ta ndërtojmë Kosovën si një shtet me qendrueshmëri të brendshme dhe një marrëdhënie moderne me pakicat brenda saj, që janë më pak se 10 përqind. Po kështu, mund të them se për neve nuk ka alternativë tjetër përveç pavarësisë së Kosovës. Kush mendon që ta zbutë procesin për ta anashkaluar kërkesën tonë, kërkesë e mbështetur në vullnetin e popullit shumicë, kjo do të ishte diçka e papranueshme.//ii

XS
SM
MD
LG