Lidhje

Presidenti Bush dhe Kryeministri Maliki do të diskutojnë mbi dhunën sektare në Irak


Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se bisedimet e sotme do të zhvillohen, pas një farë konfuzioni rreth takimit të tyre mbrëmë.

Presidenti Bush duhej të ishte takuar me kryeministrin irakian dhe me mbretin Abdullah para darkës në Pallatin Rahadan të Amanit. Por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se udhëheqësi jordanez dhe ai irakian vendosën të mos e zhvillonin takimin 3-palësh, pasi u takuan të dy po dje më herët.

Në vend të takimit 3-palësh, presidenti Bush u takua privatisht me mbretin Abdullah. Ata diskutuan rreth angazhimit të Sirisë në Liban dhe se si Jordania dhe Shtetet e Bashkuara mund të forcojnë Autoritetin Palestinez.

Zyrtarë amerikanë thanë se ndryshimi i programit ditor nuk kishte fare lidhje me publikimin e një momerandumi sekret të Shtëpisë së Bardhë, i cili vinte në pikpyetje aftësinë e udhëheqësit irakian për të ndalur dhunën sektare.

Zyrtarët thanë se takimi i anulluar nuk ishte një mospërfillje, madje gazetarët do të jenë në gjendje të shohin vetë marrëdhëniet midis dy udhëheqësve kur ata t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve pas takimit të sotëm.

Bisedimet e tyre pritet të përqëndrohen në ndalimin e dhunës sektare, transferimin e më shumë përgjegjësive autoriteteve irakiane dhe në sigurimin e mbështetjes më të madhe nga vendet fqinje për qeverinë e kryeministrit al-Maliki në Bagdat.

Dy udhëheqësit janë nën presion të madh në vendet e tyre ndërsa zhvillojnë këto bisedime në një hotel të Amanit në Jordani.

Në Irak, 6 ministra të kabinetit dhe 30 ligjvënës besnikë të klerikut anti-amerikan Maktada al-Sadër vendosën dje të bojkotonin parlamentin dhe qeverinë në shenjë proteste ndaj takimit të kryeministrit al-Maliki me presidentin Bush.

Nga ana e tij, presidenti Bush përballet me kundërshtimin e udhëheqësve të Partisë Demokrate, e cila fitoi kontrollin në të dyja dhomat e kongresit amerikan në zgjedhjet e këtij muaji. Shumë demokratë kërkojnë që disa prej mbi 140 mijë trupave amerikane në Irak të fillojnë të kthehen në atdhe.

Presidenti Bush thotë se një vendim i tillë do të meret nga komandantët ushtarakë në teren dhe jo nga politikanët në Uashington. //ze//

XS
SM
MD
LG