Lidhje

SHBA: Serbia dhe Bosnja duhet më parë të kapin të akuzuarit për krime lufte që të integrohen në NATO dhe organizata të tjera


Serbia dhe Bosnje-Hercegovina kanë kërkuar me kohë të hyjnë në grupin e partneritetit të NATO-s, si hapi i parë për një anëtarësim të plotë në aleancë dhe në grupime të tjera rajonale, përfshirë Bashkimin Evropian.

Por Departamenti i Shtetit thotë se këto dy vende nuk mund të presin një përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit deri në kapjen e figurave të akuzuara për krime lufdte gjatë konfliktit në Ballkan të viteve 1990-të.

NATO-ja njoftoi në fund të takimit të nivelit të lartë 2 ditor në kryeqytetin e Letonisë Riga, se ftesat në grupin e partneritetit për këto dy vende dhe Malin e Zi u bënë për shkak të kontributit që mund të japin ato në qëndrueshmërinë e Ballkanit.

Këto ftesa u ishin mohuar më parë Serbisë dhe Bosnjës, për shkak se ato nuk kishin arritur të arrestojnë të dyshuarit për krime lufte, veçanërisht, presidentin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç si dhe shefin e tij ushtarak të kohës së luftës, Ratko Mlladiç.

Vendimi për ftesën e tyre në partneritet u mirëprit nga qeveritë e të dy vendeve, por pati shprehje habie nga përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe nga prokurorja e OKB-së për krime lufte, Karla Del Ponte, e cila tha se ajo ishte çuditur dhe zhgënjyer nga ftesa për pjesëmarrjen e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

NATO-ja merr vendime nëpërmjet konsensusit dhe Shtetet e Bashkuara e mbështetën këtë veprim. Por në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Kejsi, tha se do të ishte gabim nëse qeveritë e Serbisë dhe Bosnjës, apo të tjerë ta interpretonin ftesën se problemi i krimeve të luftës nuk është më i rëndësishëm.

“Të dyja vendet kanë dorëzuar dhjetra të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte dhe kanë shprehur zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit me të. Megjithatë këto vende duhet të bëjnë më shumë për të siguruar arrestimin sa më të shpejtë të 6 të akuzuarve në arrati, përfshirë Ratko Mlladiçin dhe Radovan Karaxhiçin. Mendoj se është e qartë, po të shikohen vendimet e marra, se integrimi i mëtejshëm në institucionet euro-atlantike do të varet nga bashkëpunimi i plotë me gjykatën për krime lufte.”

Karaxhiç dhe Mlladiç kërkohen nga gjykata e Hagës, nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për vdekjen e mijëra njerëzve, kryesisht myslimanë të Bosnjës, gjatë luftës në Ballkan.

Njoftohet se që të dy strehohen në Serbi dhe në zonat me shumicë serbe të Bosnje-Hercegovinës. Kjo ka tensionuar marrdhëniet e këtyre dy vendeve me Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi Kejsi thotë se ftesa në pertneritet u bazua tek çështje më të gjera, si ekonomike, politike dhe reformat e mbrojtjes në të dyja vendet.

Njoftimet e lajmeve thonë se për Serbinë ftesa ishte pjesë e një përpjekjeje të NATO-s për të ulur influencën në rritje të nacioanlistëve të vijës së ashpër, përpara zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen në janar.

Ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, tha se NATO-ja dërgoi një mesazh për atë që ai e quajti ‘rigrupimi i forcave’ në Serbi, për të mos patur një kthim në të kaluarën, një referencë për dhunën në dekadën e kaluar.

NATO-ja tha se ishte gati të ftonte 3 vende të tjera ballkanike, Kroacinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, për anëtarësim në aleancë në vitin 2008, nëse përmbushin kërkesat për anëtarësim.

Të treja këto vende marrin pjesë tashmë në programin e Partneritetit për Paqe.

//ze//

XS
SM
MD
LG