Lidhje

Në Irak shtohet opozita kundër qeverisë së Kryeministrit al-Maliki


Kryeministri i Irakut, Nouri al-Maliki, u kthye në Bagdad mes shtimit të kritikave për qeverinë e tij.

Zoti Maliki mbajti një konferencë shtypi në aeroportin e Bagdadit, pas takimit në Jordani me Presidentin Bush. Ai u bëri thirrje ligjvënësve shiitë dhe anëtarëve të kabinetit të bashkohen përsëri me qeverinë e koalicionit të Irakut. Zoti Maliki tha se bojkotimi i qeverisë nga ana e tyre nuk është pozitiv.

Të mërkurën, 30 ligjvënës shiitë dhe 5 ministra të kabinetit, besnikë të klerikut radikal shiit, Moqtada al-Sadr, u larguan nga qeveria. Ligjvënësi shiit, Salah al-Ojeili, tha se ky grup kërkon largimin e trupave amerikane nga Iraku. Opozita kundër zotit Maliki po shtohet edhe mes udhëheqësve sunni.

Nënpresidenti i Irakut, Tariq al-Hashemi, i besimit sunni, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai do një koalicion të ri, në vend të qeverisë së zotit Maliki.

Nga zhvillime të tjera, zyrtarët irakianë thanë se më shumë se 50 trupa të vdekurish u gjetën në Bagdad dje. Ushtria amerikane tha se një varr masiv u gjet në afërsi të qytetit të trazuar të Bakubës në veri të Bagdadit.

XS
SM
MD
LG