Lidhje

Papa Benedikti viziton Xhaminë Blu në Stamboll


Papa Benedikti qëndroi në heshtje në një nga xhamitë kryesore të Stambollit, ditën e tretë të vizitës së tij në Turqi, duke medituar në kërkim të pajtimit mes feve të ndryshme.

Papa hoqi këpucët kur hyri në Xhaminë Blu, objekt i shekullit të 17-të, duke u bërë kështu Papa i dytë që viziton një xhami. Papa Gjon Pali pati vizituar një xhami në vitin 2001.

Më parë, Papa Benedikti vizitoi muzeun e Stambollit Shën Sophia, që është ndërtuar në shekullin e 6-të si kishë dhe është kthyer në xhami në shekullin e 15-të. Autoritetet turke e shndërruan atë në muze në vitin 1935, si pjesë e përpjekjeve për krijimin e një republike laike.

Kjo vizitë pason një shërbim fetar ku Papa iu bashkua udhëheqësit shpirtëror të të gjitha kishave ortodokse, Patriarkut Ekumenik Bartolomeo, për një ceremoni me rastin e Festës së Shën Andresë - një nga të 12 apostujt, i cili qe arqipeshkvi i parë i Kostandinopojës - Stambollit të sotëm.

Gjatë shërbimit në Kishën e Shën Gjergjit, Papa tha sot se ndarjet që ekzistojnë ndërmjet të krishterëve janë “skandal për botën”.

Kisha Katolike dhe ajo ortodokse u ndanë në vitin 1054 për shkak të ndryshimeve teologjike dhe mbi autoritetin papnor.

XS
SM
MD
LG