Lidhje

Londër: Një person që kishte takuar agjentin rus rezulton i prekur nga rrezatimi 


Shtypi britanik njofton se personi që u takua me agjentin rus që vdiq javën e kaluar si pasojë e rezatimit, ka rezultuar edhe ai i prekur nga rezatimi.

Personi me të cilin Aleksandër Litvinenko ishte për darkë ditën që agjenti i arratisur rus u sëmur, por ashtu rezultoi pozitiv nga i njejti elementi tepër radioaktiv, Polonium 210, që u gjet edhe në trupin e Litvinenkos.

Identiteti i tij nuk është bërë i ditur, por sipas shtypit britanik ai është Mario Skaramella, një studiues dhe ekspert italian i zbulimit. Agjencia Britanike e Shëndetësisë njofton se analizat e urinës tregojnë për praninë e një “sasie të konsiderueshme” izotopesh radioaktive në sistemin e tij. Ai po mbahet nën mbikqyrje në Spitalin e Universitetit të Londrës, aty ku u trajtua edhe Litvinenko.

Më 1 nëntor, Litvinenko dhe personi në fjalë, u takuan për të diskutuar rreth një e-maili drejtuar personit, ku përfshiheshin një sërë emrash, përfshirë edhe emrat e tyre, jeta e të cilëve, sipas emailit, ishte në rrezik.

Duke folur të premten me gazetarët, miku i Litvinenkos, Aleksandër Goldfarb, tha se hollësi të tjera rreth sasisë së rezatimit që ka marrë personi që ishte për darkë me Litvinenkon, do të jenë të rëndësishme për të përcaktuar se si arriti rezatimi të hyjë në sistemin e tij. Zoti Goldfarb tha se ai ka besim se autoritetet britanike do ta zbulojnë komplotin.

“Policia deri tani ka bërë një punë të admirueshme. Ata kanë caktuar një numër të madh ekspertësh nga më të mirët, që po merren me këtë rast. Nga përparimi i arritur deri më sot, ne jemi të bindur se e vërteta do të zbulohet.”

Rezultatet e autopsisë së zotit Litvinenko pritet të shpallen pas disa ditësh.

Deri tani, gjurmë radioaktive të së njejtës substancë janë gjetur në 12 vende të ndryshme dhe zyrtarët besojnë se ky numër do të jetë edhe më i madh me vazhdimin e hetimeve.

Njeri prej dy avionëve të linjës ajrore britanike në aeroportin Heathrow, në të cilin u gjetën gjurmë të elementit polonium 210, rifilloi përsëri fluturimet. Një aeroplan i tretë i linjës britanike u kthye nga Moska në Londër, ku do t’i nënshtrohet kontrollit.

XS
SM
MD
LG