Lidhje

Shqipëri: Zgjedhjet vendore do të mbahen më 20 janar


Shqipëria do të shkojë para kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit vendor të shtunën e 20 janarit të vitit të ardhshëm, megjithë vonesat dhe mospajtimet e forcave kryesore politike mbi reformën zgjedhore.

Pasi nënshkroi dhe publikoi dekretin përkatës, Presidenti Alfred Moisiu tha se kjo datë ishte afati maksimal kushtetues. Ai ftoi qeverinë dhe KQZ që të përmbushin detyrimet ligjore ndaj këtij procesi zgjedhor.

"Ftoj partitë politike dhe kandidatët që të respektojnë ligjin, të përgatisin dhe të realizojnë një fushatë zgjedhore vërtet konkurruese dhe të ndershme, ashtu si ftoj qytetarët që me kulturë dhe vetpërmbajtje t'i bashkohen fushatës dhe të marrin pjesë masivisht në votime," tha presidenti Moisiu.

Zoti Moisiu kujtoi në një rend kronologjik të gjithë premtimet e pambajtura të partive politike për realizimin e reformës zgjedhore. Sipas tij, partitë politike e kanë nisur realisht fushatën zgjedhore, por nga ana tjetër nuk bashkëpunojnë për arritjen e standarteve të procesit zgjedhor, që është i rëndësishëm për integrimet euro-atlantike të vendit.

"Demokracia e re shqiptare është në provë; të gjithë kemi rastin që brenda kohës në dispozicion, duke realizuar zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme, të ndihmojmë kapërcimin e saj me sukses," tha zoti Moisiu.

Forcat kryesore politike shihen nga analistët politikë si përgjegjëse për humbjen e kohës së nevojshme për reformën zgjedhore dhe përgatitjen e procesit të zgjedhjeve vendore. OSBE theksoi në një raport të vetin dy javë më parë se "vonesat janë të konsiderueshme dhe procesi është bllokuar pasi nuk janë kryer ndryshimet e duhura në kuadrin ligjor", duke nënvizuar se këto vonesa në përgatitjen e zgjedhjeve mund të rrezikojnë ecurinë pozitive që Shqipëria kishte nisur në vitet e shkuara".

Situata politike e Shqipërisë në këtë raport vlerësohet se "është e tendosur dhe ka një atmosferë polarizimi në rritje, mungesë besimi mes palëve dhe shfaqje ashpërsie mes partive politike".

OSBE do të sjellë në Shqipëri mbi 400 vëzhgues ndërkombëtarë për zgjedhjet vendore që do të mbahen në mes të dimrit, po aq vëzhgues sa edhe kishte një vit më parë në mes të verës për zgjedhjet e përgjithshme. //ze//

XS
SM
MD
LG