Lidhje

Kosovë: LDK-ja bëhet gati për kuvendin që do të zgjedhë kryetarin


Lidhja Demokratike e Kosovës po bën përgatitjet e fundit për kuvendin e saj, në të cilin pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë. Për postin e kryetarit konkurrojnë presidenti Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i parlamentit Nexhat Daci dhe kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Alush Gashi. Sipas njoftimeve në media, zoti Gashi ka tashmë edhe mbështetjen e familjes së presidentit të ndjerë Rugova.

Tri personalitete do të garojnë për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, post ky me mjaft ndikim jo vetëm për këtë parti, por shumë më gjerë në skenën politike në Kosovë dhe në qeverisjen e saj. Lidhja Demokratike mbetet partia më e madhe në vend, me numrin më të madh të deputetëve në parlament dhe me një ndikim mjaft të madh në popullsinë e vendit.

Që nga vdekja e presidentit të ndjerë Rugova, kjo parti ka kaluar një numër zhvillimesh që cuan në fakt edhe në daljen e tri kandidatëve për postin e kryetarit të partisë, presidentit Fatmir Sejdiu, ish-kryetarit të parlamentit Nexhat Daci, dhe së fundi, kryetarit të grupit parlamentar të kësaj partie, Alush Gashi, i cili njihet si mjaft i afërt me familjen e presidentit të ndjerë Rugova.

Mediat në Prishtinë kanë thënë se zoti Gashi ka madje mbështetjen e familjes Rugova për zgjedhjen e tij në këtë post, ndërsa analistët thonë se ai do të shërbejë si një e mesme vendimtare midis dy kandidatëve kryesorë, presidentit Sejdiu dhe ish-kryetarit të parlamentit Daci.

Kryesia e LDK-së ka mbajtur në fund të kësaj jave një takim me kryetarët e degëve, lidhur me përgatitjet përfundimtare për Kuvendin zgjedhor të kësaj partie që pritet të mbahet më 9 dhjetor. Kryesia e partisë ka formuar një grup punues përgatitor, për përgatitjen e këtij kuvendi, përgatitje kryesisht teknike, administrative dhe të materialeve bazë për mbarëvjtjen e punimeve të kuvendit.

Fitorja e cilitdo prej dy kandidatëve kryesorë në zgjedhjet për kryetarin e Lidhjes Demokratike, zotit Sejdiu apo zotit Daci, pritet të çojë në ndryshime në qeverinë aktuale, por thellësia e këtyre ndryshimeve do të varet nga fitorja e njërit apo tjetrit kandidat.

Ndërsa kandidatura e zotit Gashi, pritet të tërheqë më shumë ata delegatë që mendojnë se ndarja e partisë në dy blloqe të mëdha mbështetëse për dy kandidatët kryesorë, po e dëmton Lidhjen Demokratike, kjo kandidaturë pritet të tërheqë gjithashtu delegatët e pavendosur, të cilët janë në një numër të konsiderushëm dhe mund të ndryshojnë bilancin midis kandidatëve për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike.

XS
SM
MD
LG