Lidhje

Presidenti Bush po shqyrton zgjidhje të ndryshme për gjendjen në Irak


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Bush po shqyrton zgjidhje të ndryshme në Irak, përfshirë sugjerimet që iu paraqitën në një memorandum nga sekretari i mbrojtjes që po largohet nga detyra, Donald Ramsfeld. Administrata e presidentit Bush po përgatitet gjithashtu të marrë një listë rekomandimesh për ndryshime në politikë, nga një ekip dypartiak i përbërë nga ekspertë në politikën e jashtmem, të autorizuar nga Kongresi.

Në memorandumin drejtuar Shtëpisë së Bardhë, i hartuar pak përpara zgjedhjeve të 7 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe disa ditë përpara dorëheqjes së tij, sekretari Ramsfeld, bëri thirrje për nevojën e një përshtatjeje të madhe të politikës amerikane në Irak.

Zoti Ramsfeld, i konsideruar prej kohësh një nga përkrahësit më të fuqishëm të strategjisë së presidentit Bush në Irak, paraqiti një ton tjetër në memorandumin e tij, duke sugjeruar se kishte ardhur koha për një ndryshim kursi.

Memorandumi sekret, i publikuar për herë të parë nga gazeta Nju Jork Tajms dhe më vonë i konfirmuar nga Pentagoni, rendit një seri mënyrash, përfshirë disa ide për ridislokimin e trupave ose tërheqje.

Këshilltari i presidentit Bush për sigurinë kombëtare, Stivën Hadli, thotë se memorandumi duhet parë në kuadrin e një shqyrtimi të gjerë të zgjidhjeve politike.

Ai foli në programin This Week, të rrjetit televiziv ABC.

“Siç e dini presidenti Bush u kishte kërkuar agjencive të fillonin një shqyrtim të poliotikës sonë në Irak. Sipas mendimit tim memorandumi i zotit Ramsfeld ishte një listë idesh që do të merren në konsideratë si pjesë e këtij shqyrtimi.”

Zoti Hadli theksoi se presidenti kishte shprehur shpesh gadishmërinë e tij për t’u adoptuar ndaj zhvillimeve në Irak. Ai tha se përveç ideve të paraqituar nga anëtarët e administratës, presidenti Bush është i gatshëm të marrë në konsideratë idetë e paraqituar nga zyrtarët irakianë, anëtarët e Kongresit amerikan, si dhe rekomandimet e Grupit Studiues mbi Irakun, një ekip i nivelit të lartë, i përbërë nga këshilltarë të autorizuar nga legjislativi, i cili do të paraqitë këtë javë përfundimet e studimit.

“Ai është shprehur publikisht mbi pohimet e sekretarit Ramsfeld, se disa procedura nuk po zhvillohen si duhet dhe me shpejtësinë e nevojshme. Ne duhet të bëjmë disa ndryshime. Ne kemi nevojë për një kurs të ri në Irak dhe ky është pikërisht qëllimi i shqyrtimit të politikës.”

Pakënaqësia e publikut me situatën në Irak, ishte pjesërisht shkaku i një fitoreje të thellë nga Partia Demokrate në zgjedhjet e nëntorit. Xhozef Bajden, nga shteti i Dellëuerit, është ai që do të kryesojë Komisionin e Senatit për Mardhëniet me Jashtë, kur demokratët do të marrin zyrtarisht kontrollin e Kongresit në muajin janar. Ai pohoi dje në rrjetin e lajmeve, Fox News, se memorandumi i zotit Ramsfeld vetëm përforcon këndvështrimin e tij se drejtimi nga administrata i situatës në Irak ka qenë me të meta të mëdha.

"Përfundimi është se nuk ka asnjeri, përfshirë ish sekretarin e mbrojtjes Ramsfeld, i cili të mendojë se politika që vazhdon të ndjekë presidenti Bush në Irak ka kuptim.”

Në të njëjtin program televiziv, senatori republikan, Lindsi Graham, nga shteti i Karolinës së Veriut, u pajtua me nevojën e një ndryshimi në politikën amerikane në Irak, por tha se caktimi i një afati kohor për tërheqje trupash të shkallëzuara me kushte, do të ishte gabim, sepse fitorja ushtarake është qënësore në kuadrin e luftës kundër terrorizmit.

"Për mua Iraku është fronti kryesor në luftën kundër terrorizmit. Ne madje kemi nevojë për më shumë trupa dhe jo një pakësim të numrit të tyre. Populli irakian ka nevojë për një periudhë qetësie nga dhuna sektare.”

Gjatë bisedimeve të zhvilluara në Jordani javën e kaluar, presidenti Bush dhe kryeministri irakian Nuri Al-Maliki, ranë dakord për përshpejtimin e stërvitjes dhe dislokimit të forcave irakiane të sigurisë, për të përballuar gjakderdhjen, me shpresën për ta ndaluar atë. Presidenti Bush do të takohet sot me Abdul Azis Al-Hakimin, një udhëheqës i lartë i shumicës shiite në Irak.

Ambasadori amemrikan në Irak, Zalmei Khalilzad, theksoi rëndësinë e këtyre takimeve gjatë një paraqitjeje në programin Late Edition të rrjetit televiziv CNN.

“Presidenti Bush do të ketë mundësinë për të inkurajuar irakianët të punojnë së bashku, të bashkohen, të pajtohen dhe të përballojnë ekstremistët.”

Presidenti Bush ka në plan të takohet gjithashtu me nën-presidentin irakian, Tarek Al-Hashemi, udhëheqësi i një fraksioni suni të Irakut.

XS
SM
MD
LG