Lidhje

Shekeli: Kreditë tregëtare brenda kufirit të caktuar nga FMN-ja


Qeveria e Shqipërisë po tregohet ambicioze për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit në rrugën e zhvillimit ekonomik. Drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqiperinë, këtu në Uashington thotë se megjithese treguesit makoekonomikë kanë qënë gjithmonë shembull, kur vjen fjala për reformat strukturore, situata paraqitet ndryshe. Menaxhimi i borxhit, e drejta e pronësisë, zbatimi i kontratave dhe ulja e korrupsionit mbeten çështje që kërkojne zgjidhje.

Disa muaj pas shpalljes së nismës "Shqiperia Një Euro" ende nuk dihet skema që po harton qeveria për të tërhequr investitorët dhe mënyra se si do të trajtohen ato çështje që i mbajne kapitalet e huaja larg vendit. Drejtori i FMNse per Shqiperine, Ishtvan Shekeli thotë se skema ende e paqartë, nuk do të përfshije ulje taksash. Ende nuk i kemi marrë hollësitë e kësaj skeme, kështu që nuk është ende koha për të dhënë një konkluzion përfundimtar për të, por sigurisht që ka disa elementë që po na bëhen më të qartë. Pikë së pari nisma synon të rigjallërojë disa zona industriale, gjë që është ide e mirë.

Ishtvan Shekeli: Na u bë gjithashtu e qartë se në skemë nuk do te kete ulje taksash, apo përjashtime nga sistemi i taksave të cilin ne e mbështesim pasi Shqipëria ka një sistem taksash të pastër dhe të hartuar relativisht mirë. Në se qeveria dëshiron të inkurajojë aktivitete të caktuara ka mënyra më transparente për ta bërë atë drejtperdrejt nga buxheti.

Zëri i Amerikës: A do të miratojë Fondi Monetar kërkesën e qeverisë shqiptare për të marrë më shumë kredi tregëtare dhe deri në çfarë shume do të jetë kjo e mundur?

Ishtvan Shekeli: Sipas programit, lejohet që Shqipëria të marrë kredi tregëtare. Fakti që ky është një program diplomimi dhe kur Shqipëria të jetë e lirë prej tij (2009)supozohet të jetë e aftë të funksionojë në tregun financiar ndërkombëtar, e bën të domosdoshme që vendi të mësojë dhe të fitojë përvojë në këtë fushë. Gjithashtu niveli i të ardhurave në Shqipëri po rritet me shpejtësi kështu që vendi ka arritur në një pikë ku nuk ka nevoje më për kredi me kushte të favorshme. Është me vend të thuhet se duhet të tregohet kujdes për kufirin e kesaj shume pasi stabiliteti është një çështje e rëndësishme dhe gjithë programi synon të përmirësojë pozitën e Shqipërisë në këtë aspekt. Për t'u dhënë një pamje të përgjithshme, ne mendojmë se baza e këtij programi mbetet e njëjtë, por ka vend për të plotësuar nevojat për këto projekte të rëndësishme. Ne e shikojmë të arsyeshme për t'i dhënë qeverisë më shumë fleksibilitet për të marrë kredi me parë nga sa mendohej por kërkojmë të mbajmë të njëjtën shifër për tre vjet, rreth 680 milion euro. Kjo është një pike shumë e rëndësishme e programit per te cilin kemi rene dakort dhe mënyra më e mirë për të siguruar kredibilitet është zbatimi i programit. Ende jemi duke diskutuar si do ta racionojme këtë shumë dhe bordi do të duhet të marrë një vendim së shpejti. Arsyet që qeveria kërkon të marrë më shumë kredi dhe më shpejt është se ka arritur të përfundojë negociatat për disa nga projektet, për të cilat u vumë në dijeni në fillim të programit por që parashikohej të kërkonin më shumë kohë. Arsyeja tjetër është se programi ambicioz i ndërtimit të rrugëve, po ecën më shpejt nga sa mendohej që është përsëri shenjë e mirë pasi Shqipëria ka nevojë për rrugë. Prandaj prapa gjithë kësaj është një zhvillim pozitiv. Ajo që ne po diskutojmë nuk është koha e marrjes së kredive por limiti për to. Mendojmë të japim më shumë fleksibilitet në mënyrë që të firmosen kontratat dhe zbatimi i projekteve të fillojë më shpejt.

Zëri i Amerikës: Sa i shqetësuar jeni ju për inflacionin në Shqipëri?

Ishtvan Shekeli: Rritja e interesave bankare u bë në kohën e duhur. Për vite me radhë Shqipëria ka patur shifra të shkëlqyera inflacioni. Po flasim vetëm për një rritje që është e nevojshme për të mbajtur presionin e inflacionit nën kontroll para se rreziku të materializohet. Jemi dakort me guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani se rritja e shpejtë e kredisë në ekonomi është një nga faktorët që ushtron presion. Shtyrja e shpenzimeve te qeverisë në fund të vitit nuk është diçka e re në Shqipëri, kështu ka qënë edhe vjet edhe një vit më parë. E reja këtë vit është se shuma është më e madhe për dy arsye. Së pari sepse të ardhurat ishin më të larta dhe së dyti kjo ishte një qeveri e re kështu qe disa nga prioritetet ne investime ndryshuan. Këto janë projekte te reja te cilat u vonuan edhe per faktin se buxheti u miratua më vone. Por kjo nuk na ben të besojme se keto shpenzime do te kete ndikim negativ persa i përket inflacionit në një periudhë afatgjate.

Zëri i Amerikës: Të ardhurat nga emigracioni llogaritet të kapin shifrën prej 1 miliardë eurosh në vit, pra është një mbështetje e konsiderueshme e ekonomisë shqiptare. Megjithatë këto të ardhura nuk janë të qëndrueshme. Çfarë duhet bërë për të krijuar baza më të forta ekonomike për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Ishtvan Shekeli: Së pari është e natyrshme që në Shqipëri ka një nivel kaq të lartë të ardhurash nga emigracioni. Të ardhurat nga emigracioni janë një faktor qëndrueshmërie për Shqipërinë pasi të afërmit e tyre në vend, kanë të ardhura më të pakta. Në fakt Shqipëria në vend që të eksportojë produkte, ka eksportuar fuqi punëtore që padyshim nuk është një gjë e mirë. Mirë do te ishte që këta njerëz të aftë të ishin në vend. Por derisa kjo të mundesohet, të ardhurat nga emigracioni luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë. Në se i referohemi raportit të vitit të kaluar, shohim se të ardhurat nga emigracioni kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e buxhetit. Një pjesë e madhe e të ardhurave të buxhetit janë në fakt taksa mbi këto të ardhura. Ato luajnë një rol të rëndësishëm që Shqipëria të qëndrojë në një pozicion të fuqishëm fiskal. Qeveria mund të bëjë më shumë për të t’i perdorur këto burime. Përshembull mund të marrë hua nga kursimet e këtyre imigranteve përmes së cilave mund të krijohet një baze e fortë për të financuar borxhin në Shqipëri me instrumenta afat-gjatë. Ky mund te behet nje burim i rendesishem per nje financim te qendrueshem dhe deri diku me leverdi ne Shqiperi. Ne vërejmë rritje të ekonomisë dhe presim që vitin tjetër ajo të arrijë 6%. Deficiti midis te ardhurave dhe shpenzimeve ka filluar të ulet, çmimet janë brenda kufijve të bankës qendrore, kështu që mendoj është një mjedis i mirë për qeverinë që ajo të realizojë reformat strukturore ku mbetet shumë për të bërë, veçanërisht në përmirësimin e menaxhimit të borxhit. Nga pikëpamja e parametrave makroekonomikë, Shqipëria është në nivel shumë të mirë. Kur vjen puna për reformat strukturore situata paraqitet ndryshe. Mendoj se Shqipëria ka shumë për të bërë për tu afruar me vendet e rajonit, dhe me konkurentët e saj në tregjet e ekonomive në rritje. Por dua të them se në përgjithësi zbatimi i projektit ka shkuar mirë, të paktën për këtë periudhë. Në fushën e sektorit financiar zhvillimi është i kënaqshëm, ndersa ne fusha të tjera mbetet shumë për të bërë, veçanërisht për të siguruar të drejtën e pronësisë, zbatimin e kontratave dhe uljen e korrupsionit. Këto janë fushat ku Shqipëria duhet të bëjë përmirësime. Shqipëria është prapa edhe me infrastrukturën në krahasim me vendet e tjera me të njëjtin nivel të ardhurash. Kjo është arsyeja që ne mbështesim zhvillimin e infrastrukturës si një objektiv të rëndësishëm. Mendojmë gjithashtu se privatizimi i Keshit do të jetë një hap i rëndësishëm për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm për bizneset dhe konsumatorët, privatizimi i INSIG-ut dhe ai i Albtelekomit gjithashtu duhet të përfundojnë sa më shpejt. //rd//

XS
SM
MD
LG