Lidhje

Gjykata Kushtetuese: Hetimi ndaj z. Sollaku i pajustifikuar


Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese i dha sot të drejtë Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ishte ankuar për objektin e hetimit të komisionit parlamentar të ngritur rreth veprimtarisë së tij.

Gjykata e ka vlerësuar si të papajtueshëm me kushtetutën objektin e hetimit. Në vendimin e saj thuhet se parlamenti nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe vlerësojë vendimet e prokurorëve në një sërë çështjesh konkrete. Veprimtaria e Komisionit Parlamentar sipas Gjykatës Kushtetuese, përbën një tejkalim të funksioneve të parlamentit dhe ndërhyrje në kompetencat e prokurorisë.

Komisioni hetimor ndaj prokurorit të Përgjithshëm u ngrit me nismën e deputetëve të shumicës të cilët e akuzonin atë për mbi 80 raste të shkeljes së rëndë të ligjit dhe të kushtetutës. Ishte vota e të djathtëve që miratoi kërkesën për shkakrimin e tij. Por pas më shumë se dy muajsh, më 13 tetor, presidenti Alfred Moisiu e refuzoi këtë kërkesë pasi sipas tij, nuk plotësoheshin kushtet që parashikoheshin në kushtetutë për shkarkimin e Prokuorit të Përgjithshëm.

Gjykata e Lartë rrëzon akuzat ndaj ish-Zëvendësministrit të Brendshëm

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë vendosi sot rrëzimin e akuzave ndaj Agim Shehut, ish zëvendësministër i Brendshëm dhe Drejtor i Pergjithshëm i policisë deri në vitin 1997. Nje figurë e diskutueshme dhe e akuzuar nga opozita e atëhershme si "dora e hekurt e ish presidentit Sali Berisha" dhe përdorues i dhunës veçanerisht ndaj protestave të saj për zgjedhjet e vitit 1996 dhe më pas gjatë trazirave të marsit 97, zoti Shehu ishte dënuar nga Gjykata e Apelit ushtarak me 8 vjet burgim nën akuzën e dezertimit.

Që nga viti 1997 ai ishte larguar nga vendi, duke jetuar në mërgim, ndërkohë që mbrojtësit e tij kërkuan pafajësinë nga Drejtësia shqiptare. Fillimisht ishte Gjykata e Lartë, e cila kërkoi shqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë e cila me vendimin e sot i hap rrugë rikthimit të tij të lirë në Shqipëri.//lk

XS
SM
MD
LG