Lidhje

“Shtetet e dështuara” - mjedise të ngrohta për terroristët


Kur mekanizmat e një qeverie, si ato të sigurimit kombëtar, nuk funskionojnë, forca të brendshme, të paligjshme, e nganjëherë elementë nga jashtë mund të veprojnë në vend dhe shteti nuk është në gjendje t’i ndalë. Korrespondenti ynë u hedh një vështrim mundësive se si të ashtuquajturit “shtete të dështuar” bëhen mjedise të ngrohta për terroristët dhe se si përgjigjet bashkësia ndërkombëtare.

Afganistani. Iraku. Sudani. Somalia. Në të katër këta vende qeveritë qendrore janë dobësuar apo shpërbërë krejtësisht dhe terroristët hynë atje dhe ngritën baza operative. Nga këto vende, terrorizmi mund të eksportohet gjithandej. Dhe, ndërsa shtete të tjera dobësohen, krijojnë mundësi të tjera që kërcënimi terrorist të rritet. Ish-zyrtari i zbulimit amerikan, Kal Temple, i cili punon tani në Qendrën jo-qeveritare në Washington për Kërkime mbi Terrorizmin, thotë se duhen kushte të posaçme brenda vendit që e bëjnë atë joshës për terroristët.

“Shtete të dështuara apo të dobëta përbëjnë mjedis të ngrohtë për terrorizmin për hir të njërës prej arësyeve kryesore: mungesa e qeverisjes qendrore dhe shpesh mungesa e pjesëmarrjes politike dhe sociale në këto shtete. Institucionet e dobëta, mungesa e pjesëmarrjes në qevrisje dhe fragmentarizmi i këtyre shoqërive krijojnë kushte që terroristët të hyjnë, të hedhin rrënjë dhe të planifikojnë akte terroriste”.

Në vitet e fundit, revista me redaksi në Washington “Politika e Jashtme” hartoi një listë të shteteve të dështuara dhe të shkaqeve përse u shpërbënë. Në krye të listës është Sudani dhe Republika Demokratike Kongos. Në vendin e gjashtë janë Somalia dhe një shtet tjetër afrikan, Çadi. Në vendin e katërt është Iraku, ndërkohë që gjendja e dobët e sigurimit në Afganistan e vendos këtë të fundit në vendin e dhjetë.

Të gjithë këta janë vende të prekura nga dobësitë e brendshme dhe dhuna, të cilat kanë patur ndikim tek vendet e tjera. Shembull i gjallë i rrezikut të terroristëve të strehuar brenda një shteti të dështuar dhe i sulmit kundër një shteti tjetër janë aktet terroriste të 11 shtatorit. Përgjegjësit e sulmeve kishin lidhje të drejtpërdrejta me Afganistanin dhe udhëheqësin e al-Qaidës, Osama bin Laden. Ai vepronte atje lirisht kur talebanët morën vendin nën kontroll pas tërheqjes së forcave sovjetike më 1989-ën. Shtetet e dështuara kanë zakonisht nevojë për ndihmë nga jashtë për të mos lejuar terroristët të hyjnë në vend. Ish-zyrtari i zbulimit amerikan, Paul Pillar:

“Kryesorja është që bashkësia ndërkombëtare të ndihmojë qeveritë të kenë autoritetin e duhur në territorin e tyre. Shpesh, stërvitja, ndihmat materiale e të tjera me radhë për të ndihmuar në zhvillim dhe për të shtuar aftësinë e forcave të brendshme të sigurimit përbëjnë një pjesë e mirë e kësaj ndihme”, - thotë ai.

Por, për të mos lejuar terroristët të shfrytëzojnë shtete të dobëta a të dështuara, nuk mjafton vetëm përforcimi i masave të sigurimit nga qeveria. Jim Dobbins i korporatës RAND në Washington, thotë se nganjëherë forca të huaja mund të jenë të nevojshme.

“Varet se në ç’shkallë është thyer shteti juridik. Nëse shteti shpërbëhet, nëse vendi është në luftë civile, atëherë një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare është shpesh komponent themelor për rivendosjen e shtetit. Në rastet kur gjendja nuk ka dalë shumë jashtë kontrollit, ndihmat ndërkombëtare për rritjen e kapacitetit për qeverisje të mirë janë shpesh programet më të mira”, - thotë Dobins.

Analistët thonë se, bashkë me një qeveri funksionale, është tepër e rëndësishme ngritja e një sistemi ekonomik që u jep njerëzve të të gjitha niveleve shans për begati. Analistët shtojnë se kur njerëzit të përfitojnë nga sistemi, ka shumë më pak të ngjarë të përqafojnë ekstremizmin. //lk

XS
SM
MD
LG