Lidhje

Raporti mbi Irakun, thirrje për ndryshime strategjike

  • Meridith Bjuel

Komisioni mbipartiak që studjoi luftën në Irak thotë se politika e presidentit Bush për Irakun nuk ka qënë e suksesshsme, dhe bën thirrje për ndryshime të thella në strategjinë ushtarake dhe diplomatike të Amerikës. Raporti i shumëpritur i komisionit u bë publik sot. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Meredith Buel, në të thuhet se shumica e trupave amerikane duhet të tërhiqen deri nga fillimi i vitit 2008.

Bashkëkryetari i Grupit Studimor për Irakun, Li Hamilton thotë se politika e administratës së Presidentit Bush për Irakun nuk ka sjellë sukses dhe se aftësia e Amerikës për të ndikuar në zhvillimet në këtë vend po bie.

“Gjendja në Irak është e rëndë dhe po keqësohet. Dhuna po shtohet. Sulmet ndaj forcave amerikane dhe numri i të vrarëve mes forcave amerikane po shtohen me ritme alarmuese. Populli irakian po kalon vuajtje të mëdha.”

Raporti i grupit studimor rekomandon ndryshimin e misionit të ushtrisë në Irak, nga mision luftarak, në mision mbështetës për forcat irakiane të sigurimit. Zoti Hamilton thotë se kjo do t’i krijojë mundësi Shteteve të Bashkuara të fillojnë tërheqjen e trupave nga Iraku.

“Në tremujorin e parë të vitit 2008, gjithmonë në varësi të zhvillimeve të paparashikuara në terren, gjithë trupat luftarake, që nuk do të jenë të nevojshme, duhet të tërhiqen nga Iraku.” - tha zoti Hamilton.

Komisioni, po ashtu, bën thirrje për shtimin e numrit të trupave amerikane që veprojnë në kuadër të njësive irakiane, nga 4 mijë që janë tani, në deri 20 mijë. Bashkëkryetari tjetër i grupit studimor, ish-Sekretari i Shtetit James Baker, thotë se administrata duhet të bëjë ndryshime diplomatike rrënjësore, për të përmirësuar gjendjen në Irak.

"Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë menjëherë një ofensivë të re diplomatike. Në bashkëpunim me qeverinë e Irakut duhet të krijohet një grup ndërkombëtar mbështetës për Irakun, për të gjetur zgjidhje bashkëkohore për çështjet politike, ekonomike dhe ushtarake, të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë në këtë vend. Ky grup mbështetës duhet të përfshijë padyshim Irakun, por gjithashtu edhe fqinjët e tij, Iranin dhe Sirinë", tha zoti Baker.

Administrata e presidentit Bush nuk ka pranuar të hyjë në diskutime të drejtpërdrejta me Iranin dhe Sirinë, duke thënë se të dyja këto vende mbështesin kryengritësit në Irak dhe kanë lidhje me grupet terroriste ndërkombëtare.

Komisioni thekson gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i arrijnë qëllimet e tyre në Lindjen e Mesme, në se nuk zgjidhin konfliktin arabo-izraelit dhe nuk punojnë konkretisht për stabilitetin në rajon. Grupi i bën thirrje administratës së presidentit Bush të ndërmarrë një përpjekje të re dhe të gjatë diplomatike, për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt.

Raporti i drejtohet gjithashtu qeverisë irakiane, duke thënë se ajo nuk po bën sa duhet për çështje të rëndësishme si ripajtimi kombëtar, siguria bazë dhe shërbimet jetike për popullsinë. Bashkëautori Lee Hamilton tha se qeveria e Irakut duhet të plotësojë objektiva specifike në këto fusha, ose ndryshe rrezikon të humbasë ndihmën nga Shtetet e Bashkuara.

"Në se qeveria irakiane nuk bën përparimin e nevojshëm drejt arritjes së këtyre objektivave të rëndësishme, Shtetet e Bashkuara duhet të pakësojnë mbështetjen e tyre politike, ekonomike dhe ushtarake për qeverinë irakiane"- tha ai.

Raporti iu dorëzua Presidentit Bush sot paradite. Presidenti tha se komisioni bën një vlerëzim pa doreza të gjendjes në Irak. Ai shtoi se raporti përmban propozime interesante dhe premtoi të veprojë në një kohë të përshtatshme.//lk

XS
SM
MD
LG