Lidhje

Grupi për Irakun i bën thirrje presidentit të zbatojë rekomandimet


Drejtuesit e Grupit të Studimit për Irakun i bënë thirrje Presidentit Bush të zbatojë të gjitha rekomandimet për ndryshimin e politikës amerikane në Irak. Bashkëkryetari i Komisionit, ish-anëtari Kongresit Lee Hamilton u tha sot ligjvënësve amerikanë se propozimet duhet të merren parasysh të gjitha së bashku në mënyrë që të kenë efekt.

Në raportin e komisionit dypartiak thuhet se gjendja në Irak është e rëndë dhe po keqësohet edhe më tej. Në të bëhet thirrje për intensifikimin e përpjekjeve diplomatike me fqinjët e Irakut dhe për tërheqjen e shumicës së njësive amerikane të luftimit nga Iraku deri në fillim të vitit 2008. Presidenti Bush ka thënë se do ta ketë parasysh raportin, ashtu si edhe studime të veçanta të ushtrisë dhe të agjencive të tjera.

Senatori John McCain tha se nuk ishte dakord me rekomandimin për tërheqjen e trupave amerikane, duke shtuar se shumë analistë mendojnë se në Irak nuk është dërguar një numër i mjaftueshëm trupash.

Qeveria irakiane mirëpriti me rezerva rekomandimet e komisionit dypalësh amerikan për Irakun. Qeveria e Bagdatit thotë se rekomandimet për të vendosur sigurinë në Irak janë të ngjashme me politikat irakiane. Por zyra e kryeministrit Nuri al-Maliki tha se ai megjithatë do ta lexojë të gjithë raportin që u bë publik dje në Uashington. Raporti thotë se politika amerikane në Irak nuk po funksionon.

Raporti bën thirrje për një transferim gradual të trupave amerikane nga luftimet në role këshilluese. Aty thuhet gjithashtu se forcat irakiane të sigurimit, tani nën ministrinë e dominuar nga shiitët, duhet të kalojë nën ministrinë e mbrojtjes që kontrollohet nga sunitë. Shiitët pritet ta kundërshtojnë këtë rekomandim.

Udhëheqësit politikanë suni e kanë akuzuar komisionin amerikan se ka trajtuar interesat amerikane dhe jo ato të Irakut. Në njoftime të tjera, ushtria amerikane tha se 11 ushtarë të saj u vranë dje në pesë incidente të veçanta në Irak. Zyrtarët thanë se shtatë irakianë u vranë sot në një seri shpërthimesh dhe luftimesh. //rd//

XS
SM
MD
LG