Lidhje

Jaho: Afatet e shkurtuara rrezikojnë standartet e zgjedhjeve  

  • Intervistoi: Konda

Në Shqipëri duket se bisedimet mes dy kraheve te politikës për reformën elektorale po shkojnë drejt dështimit. Një takim i tretë i lënë për sot nuk u realizua. Çështjet për të cilat palët nuk bien dakort janë afatet e hartimit të listave, çetifikatat dhe kërkesa e opozitës për të shtyrë zgjedhjet. Kryeministri Sali Berisha përsëriti sot qëndirmin e tij se listat mund të hartohen brenda kohës së mbetur dhe hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Po sot kryetari socialist Edi Rama, e ftoi kryeministrin që t'i hapë rrugë kërkesave të opozitës për të gjetur bashkërisht një afat të arësyeshëm për hartimin e listave dhe prodhimin e çertifikatave. Zoti Rama bën thirrje që ambiciet dhe interesat personale politike nuk mund dhe nuk duhet të bëhen shkak për të penguar ngritjen e një procesi zgjedhor të besueshëm për të gjitha palët. Por ç’mendojnë specialistët ligjorë lidhur me keto çështje? Për të biseduar për këto, Zëri i Amerikës intervistoi në programin "Ditari", konstitucionalistin Njazi Jaho.

Zëri i Amerikës: Zoti Jaho, kur kanë mbetur më pak se 7 javë nga dita e votimeve dhe partitë nuk po merren vesh mes tyre për një sërë elementësh të procesit zgjedhor, a mundet që kuadri ligjor ekzistues të shërbejë për zgjedhjet e 20 janarit?

Njazi Jaho: Me thënë të drejtën, pyetja që bëni ju është e vështirë, sepse ne jemi shumë vonë me përgatitjet për zgjedhjet. Deri më sot, pozita dhe opozita, megjithë takimet që po zhvillojnë, nuk po arrijnë me një konsensus se ç’po bëhet me reformën zgjedhore. Kjo është për të ardhur keq, por është fakt, që mund të shoqërohet me pasoja të rënda. Gara elektorale, siç dihet, kërkon konsensus. Kjo është edhe një nga arsyet, që kodi zgjedhor, ose dispozita të veçanta të tij, miratohen dhe ndryshohen me tre të pestat e deputetëve. Është vështirë të parashikojmë se cili do të ishte rezultati përfundimtar i bisedimeve parti-opozitë. Duke patur parasysh këtë vonesë tepër të theksuar, në variantin e një të keqeje më të paktë, do të ishte marrëveshja për ndryshimet në kodin zgjedhor. Në variantin më të keq dhe të papranueshëm, do të ishte mungesa e konsensusit dhe hyrja në zgjedhje me kodin në fuqi. Në këtë rastin e dytë, të paparashikueshme mund të ishin veprimet që do të merreshin; kështu, psh, cili organ do të vendoste afatet që duhet të respektoheshin, në shpalljen e listave të zgjedhësve, ngritjen e komisioneve, paraqitjen e kandidatëve, e të tjerë. Për mendimin tim, si në rastin e parë, që është e keqja më e pakët, edhe në rastin e dytë, që do të ishte e keqja më e madhe, po të respektohej data 20 janar 2007, e caktuar nga Presidenti i Republikës. Në aspektin ligjor të problemit, do të ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të arriheshin standartet ndërkombëtare që kërkohen, sidomos tani që Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Jaho, t’i kthehemi edhe një herë realitetit të situatës politike në Shqipëri. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka qenë kaq e vonuar në përgatitjet për zgjedhjet, për shkak të mosmarrëveshjeve midis pozitës dhe opozitës. Sa mendoni ju se është vënë në rrezik përmbushja e standarteve për zgjedhje të drejta dhe të lira, brenda afatit?

Njazi Jaho: Për mendimin tim, ashtu sikur thashë edhe më lart, edhe sikur nesër të hyjmë në zgjedhje, vështirë që të mund të zbatohen standartet ndërkombëtare që kërkohen. Kjo varet nga disa faktorë. Më lejoni t’ju përmend dy elementë. Sipas kodit në fuqi, listat paraprake të zgjedhësve duhet të shpalleshin në gusht të këtij viti. Veç kësaj, komisionet e zonave të zgjedhjeve, duhet të ishin ngritur në gusht të këtij viti. Le të marrim parasysh, ku ndodhemi sot, kur do të shpallen listat paraprake të zgjedhësve dhe kur do të ngrihen komisionet përkatëse të zgjedhjeve, të cilat do të luanin një rol shumë të rëndësishëm mbas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve? Pra afatet e shkurtuara, apo të themi, tej të shkurtuara, rrezikojnë arritjen e standarteve që kërkohen.

Zëri i Amerikës: Demokratët i referohen rastit të zgjedhjeve të parakohëshme, të cilat, sipas tyre, është e mundur të organizohen edhe brenda 45 ditëve, kur flasim për mundësinë e përgatitjes së listave; ndërsa të majtët shprehen se kjo kohë e mbetur është e pamjaftueshme dhe se duhet shtyrë data e zgjedhjeve. Ju, si e vlerësoni këtë situatë dhe a është e mundshme shtyrja e datës?

Njazi Jaho: Mos në këtë rast ka një keqkuptim, sepse asnjë analogji nuk mund të bëhet kur Parlamenti shpërndahet dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij bëhen zgjedhjet. As në kushtetutë dhe as në kodin zgjedhor, nuk bëhet fjalë për shpërndarje të qeverisë në rastin e zgjedhjeve vendore. Në kushtetutë, me sa më kujtohet, thuhet vetëm për shpërndarjen nga Këshilli i Ministrave, të organit të zgjedhur drejpërsëdrejti të qeverisje vendore, për shkelje të rënda të kushtetutës dhe të ligjeve, ndërsa rasti konkret nuk ka asnjë lidhje me shpërndarjen e një njësie të qeverisjes vendore. Këtë mund të them në lidhje me pyetjen që bëre.

Zëri i Amerikës: Dhe me kushtetutë, a është e mundur shtyrja e afatit të zgjedhjeve?

Njazi Jaho: Me kushtetutë, nuk përmendet fjala shtyrje e zgjedhjeve, por ashtu siç po bisedohet, edhe vetë Presidenti, ka kërkuar mirëkuptimin më parë, të partive politike, për t’u marrë vesh lidhur me datën e zgjedhjeve. Kur partitë politike nuk u muarrën vesht, Presidenti caktoi datën e zgjedhjeve. Në se partitë politike merren vesh me njëra tjetrën për një datë të zgjedhjeve, ata mund t’i propozojnë Presidentit të Republikës, por Presidenti i Republikës mund ta pranojë propozimin e tyre, ose mund të mos e pranojë. Në rastin se ai do ta pranonte këtë, atëhere ndoshta do të duhej një ndërhyrje në kodin zgjedhor, megjithëse kjo është e diskutueshme.

XS
SM
MD
LG