Lidhje

Kosovë: Zyrtarët bëjne thirrje për qetësi pas incidenteve me dhunë


Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendas në Kosovë kanë bërë thirrje sot kundër çdo forme të dhunës në Kosovë e cila sipas tyre do të dëmtonte aspiratat e qytetarëve të saj. Komentet e tyre pasuan njoftimet për shkëmbim zjarri ndërmjet policisë dhe një grupi të personave të armatosur në Kosovën perëndimore.

Sipas policisë, persona të armatosur dhe të maskuar janë shfaqur në fshatin Gërqinë të komunës së Gjakovës, duke vendosur një postbllok ku janë ndaluar dhe kontrolluar kalimtarët e rastit. Zyrtarë të policisë pohojnë se janë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri por pa pasoja në njerëz ndërmjet shërbimit policor dhe këtyre peronave të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker tha se nuk ka informacion të saktë se cilat janë ato grupe të armatosura e të paraqitura nëpër rrugët e Kosovës, apo kush qëndron prapa tyre. Por ai tha se këto njoftime po merren shumë seriozisht nga organet e rendit… “Mendoj se policia si ajo vendase ashtu edhe ajo e UNMIK-ut, bashkë me KFOR-i do të jenë syçelë dhe do të veprojnë konform vendosjes së rendit dhe se unë kam besim të plotë në to", tha zoti Ruecker i cili ka debatuar sot këtë çështje edhe me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku dhe kryetarin Partisë Demokratike Hashim Thaçi. Ky i fundit e ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës se ka lidhje me grupet e armatosura të paraqitura me maska nëpër pjesë të caktuara të Kosovës. “Shpreha shqetësimin për situatën aktuale, të tendencave për destabilitetet dhe prishje të imazhit të pavarësisë që po ndodh këto ditë, që para-politika që dirigjon qeverinë e Kosovës, ka vunë në funksion edhe maskat, të cilat i organizon dhe i vë në rrugë të Kosovës, për të kërcënuar procesin por edhe për t;i dërguar një imazh të keq të Kosovës para botës ndërkombëtare”, tha zoti Thaçi. Por, me një pohim të tillë nuk është pajtuar kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili tha se Kosova po ndërton një shtet ligjor dhe po strukturat e veta që do të garantojnë sigurinë e plotë në Kosovë. “Nuk e di se ka ndonjë qeveri tjetër në Kosovë. Kjo qeveri që unë drejtoj është legjitime dhe ajo nuk qëndron prapa grupeve joformale apo konkretisht atyre që dalin me maska. Kjo qeveri, për të cilën unë jap llogari, nuk qëndron pas tyre”, tha kryeministri Çeku.

Asnjëri nga zyrtarët nuk ka dashur të ndërlidhë paraqitjen e personave të armatosur me shtyrjen e propozimit të krye negociatorit Martti Ahtisari për statusin e Kosovës. Ata thanë se qytetarët e Kosovës, përkundër pakënaqësive, janë sjellë me dinjitet. Shtyrja e procesit të zgjidhjes së statusit, megjithatë ka nxitur shqetësime për shtimin e pakënaqësive në Kosovë. Edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan në raportin e tij të fundit për Kosovën që do të debatohet më 13 dhjetor në Këshillin e Sigurimit ka tërhequr vërejtjen se ekstremistët e të gjitha palëve mund të përfitojnë nga pakënaqësitë e përgjithshme. //rd//

XS
SM
MD
LG