Lidhje

Presidenti Bush diskuton me ligjvënës të të dyja partive mbi raportin për Irakun

  • Skot Sterns
  • Uashington

Presidenti Bush thotë se do të punojë me republikanët dhe me demokratët në Kongres, për të gjetur një zgjidhje të re për Irakun. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Skot Sterns, thotë se zoti Bush u takua me udhëheqës të Kongresit për të diskutuar rreth raportit të kësaj jave mbi Irakun, të përgatitur nga një grup dypartiak, i përbërë nga ekspertë të politikës së jashtme.

Presidenti Bush tha se pati një takim shumë të frytshëm me udhëheqësit republikanë, të cilët kontrollojnë aktualisht Kongresin dhe udhëheqësit demokratë, që do ta marrin këtë kontroll në janar.

"Biseduam për Irakun. Biseduam për nevojën e një rruge të re atje. Diskutuam gjithashtu për nevojën për të punuar së bashku për çështje të rëndësishme."-tha Presidenti.

Presidenti i siguroi demokratët se dera e Shtëpisë së Bardhë do të jetë e hapur, kur ata që bëhen partia e shumicës në kongresin e ardhshëm dhe tha se shpreson të takohet me ta rregullisht.

"Arësyeja e takimeve të rregullta është që populli amerikan të dijë se ne punojmë shumë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Populli e pret këtë prej nesh. Ata presin që ne të punojmë për probleme të mëdha dhe zgjidhjen e tyre."- tha Presidenti.

Zoti Bush falenderoi udhëheqësin e shumicës së tanishme në senat Bill Frist dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Denis Hesterd, të cilët humbën postet drejtuese, pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Ndërsa demokratët marrin kontrollin në janar, presidenti tha se pret të punojë me udhëheqësin e shumicës në senat Harri Rid dhe me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Bashkëpunimi midis dy partive është në qendër të rekomandimeve të Grupit Studimor për Irakun, i cili tha se Shtetet e Bashkuara duhet të zhvillojnë një debat mbi Irakun, ku të dominojë përmbajtja mbi retorikën. Midis rekomandimeve të tjera të këtij grupi janë bisedimet me Iranin dhe Sirinë si dhe tërheqja e pjesës më të madhe të trupave amerikane deri në fillim të vitit 2008.

Por pas bisedimeve me Kryeministrin britanik Tony Blair dje, presidenti Bush tha se nuk do të ketë bisedime të drejtëpërdrejta me Iranin, derisa ky i fundit të heqë dorë nga programi i tij bërthamor i armëve. Irani ka mohuar për një kohë të gjatë se po kërkon të zhvillojë armë të tilla. Teherani thotë se programi bërthamor është për qëllime paqësore. Zoti Bush tha gjithashtu, se nuk do të ketë dialog as me Sirinë, derisa ky vend të ndalë ndërhyrjet në Liban.

Ndërsa për nivelin e trupave, zoti Bush tha se kërkon të jetë fleksibël dhe realist rreth tërheqjes nga Iraku. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha se presidenti do të shqyrtojë gjithashtu raportet që priten nga Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar me synimin për t’ju drejtuar kombit për këto çështje para Krishlindjeve.//lk

XS
SM
MD
LG