Lidhje

SHBA: Kërkohet lirimi i shqiptarëve të arrestuar në Mal të Zi

  • Ilir Ikonomi

Dhjetra shqiptaro-amerikanë demonstruan të premten përpara Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar lirimin e shqiptarëve të akuzuar nga autoritetet e Malit të Zi se janë përpjekur për krijimin me forcë të një rajoni autonom. Prokurorët e Malit të Zi i ngritën zyrtarisht akuzat dje.

Megjithë të ftohtit e pazakontë në Uashington, disa dhjetra shqiptarë u mblodhën sot përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar ndaj akuzave të ngritura kundër 18 shqiptarëve, mes tyre të paktën tre shtetas amerikanë.

Demonstrata ishte organizuar që të përkonte me paraqitjen e letrave-kredenciale para Presidentit Bush të ambasadorit të ri të Malit të Zi në Uashington Miodrag Vllahoviç.

Prokurorët malazezë ngritën dje zyrtarisht akuza ndaj 18 shqiptarëve, mes tyre 3 shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, se kishin planifikuar një rebelim për të krijuar me forcë një rajon autonom në Mal të Zi.

Në akuza thuhet se të dyshuarit planifikonin të merrnin kontrollin e postave ushtarake, rajoneve të policisë dhe institucioneve të tjera në lindje të Malit të Zi, e cila popullohet kryesisht nga shqiptarët. Prokurorët thonë se shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare kishin organizuar dhe financuar grupin.

Por Marash Dedvukaj nga Miçigani, djali i të arrestuarit Kolë Tomë Dedvukaj, thotë se akuzat janë të rreme dhe me motive politike. Zoti Dedvukaj i tha Zërit të Amerikës se personat në fjalë janë arrestuar thjesht sepse janë shqiptarë dhe se gjatë mbajtjes në arrest ata janë torturuar.

Në muajin tetor, Organizata Amnisty International, publikoi ankesa sipas të cilave 5 nga të dyshuarit ishin torturuar gjatë mbajtjes nën arrest. Prokurorët thonë se po i marrin në shqyrtim ankesat.

Autoritetet i arrestuan 14 nga të dyshuarit më 9 shtator, në prag të zgjedhjeve të Malit të Zi. Policia tha më vonë se kishte zbuluar një vend ku ishin fshehur armë, mes tyre edhe raketahedhës.

Demonstruesit protestuan edhe kundër asaj që ata e quajtën keqtrajtim të shqiptarëve nga ana e qeverisë malazeze në aspektin politik, ekonomik, social dhe kulturor.//ii

XS
SM
MD
LG