Lidhje

Shqipëri: PS-ja pret reagimin e shumicës për rinisjen e procesit zgjedhor


Në Shqipëri Partia Socialiste deklaroi sot se është ende në pritje të një reagimi nga shumica e djathtë për të rinisur bisedimet që do t’i hapnin rrugë një zhvillimi normal të procesit zgjedhor. Negociatori i Partisë Socialiste deputeti Fatmir Xhafa tha sot se e majta do të presë për të shfrytëzuar mundësitë e fundit, deri të hënën, ditë në të cilën skadon edhe afati i regjistrimi të partive potike në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas të majtëve tashmë nuk ka më asnjë rëndësi dita e zhvillimit të zgjedhjeve por realizimi i standarteve që do të mund të garantonin një proces normal zgjedhor. Por nga e djathta nuk ka asnjë shenjë për vazhdimin e negociatave, përsa kohë kërkesat e opozitës do të preknin detyrimisht datën e zgjedhjeve të dekretuar për më 20 janar nga presidenti Alfred Moisiu. Dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha u shpreh se për datën e zgjedhjeve nuk mund të negociohet në asnjë mënyrë.

Socialistet u shprehën dje të shqetësuar edhe për vendimin e Komisionit Qendror te zgjedhjeve i cili për t’i hapur rrugë hartimit të listave vendosi t’i referohet një neni të Kodit Zgjedhor i cili rregullon rastet e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tyre ky komision nuk mund të ofrojë garanci për një proces normal zgjedhor.
Pavarësisht se nuk e thotë zyrtarisht, opozita ka vendosur të mos regjistrohet në zgjedhje duke e futur procesin praktikisht në një zhvillim me pasoja për jetën politike të vendit.

XS
SM
MD
LG