Lidhje

Presidenti Bush po shqyrton opcionet për politikën ndaj Irakut


Presidenti amerikan Xhorxh Bush, thotë se administrata e tij po shqyrton raportin e grupit dypartiak, i publikuar javën e kaluar mbi situatën në Irak dhe do të marrë seriozisht në konsideratë rekomandimet e tij. Ai do të shqyrtojë gjithashtu edhe vlerësimet e tjera mbi strategjinë amerikane në Irak.

Presidenti Bush thotë se ai pajtohet me vlerrësimet e Grupit Studimor mbi Irakun, se vendi mund të vetëqeveriset, të përballojë nevojat e veta dhe të vetëmbrohet. Në fjalimin e tij të përjavëshëm në radio, ai tha dje gjithashtu se inkurajohet nga përfundimi i grupit për pasigurinë e një tërheqjeje të papritur të trupave amerikane nga Iraku.

“Grupi Studimor mbi Irakun kupton nevojën e suksesit në Irak. Grupi gjithashtu kupton se ndërkohë që rruga përpara nuk është e lehtë, suksesi në Irak është i rëndësishëm dhe jo i pamundur.”

Raporti i publikuar ditën e mërkurë bëri rekomandime specifike për atë që e cilësoi si “një gjendje të rëndë që po keqësohet në Irak.” Midis rekomandimeve përfshihet edhe tërheqja e shumicës së forcave amerikane luftuese nga fillimi i vitit të ardhëshëm. Gjithashtu rekoamndon ndryshimin e misionit të forcave amerikane, nga një mision luftues, në një mision për stërvitje dhe mbështetje.

Raporti sugjeron që Shtetet e Bashkuara të trajtojnë çështjen e stabilizimit të Irakut duke përfshirë në bisedime vendet rajonale, në krahasim me rrugën e njëanëshme të ndjekur deri tani.

Presidenti Bush u përgjigj se, as ai dhe as Kongresi nuk do të miratojnë të 79-të rekoamndimet e propozuara nga grupi. Megjithatë ai u zotua t’i konsiderojë ato seriozisht, së bashku me vlerësimet nga Pentagoni, Departamenti i Stetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurimit.

“Unë pres paraqitjen e të gjitha rekomandimeve. Kërkoj që në fillim të dëgjoj të gjitha këshillat dhe në fund të vendos mbi kursin e ri në Irak.”

Në fjalimin radiofonik të demokratëve, kryetari i ardhëshëm i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet Sekrete, Silvester Reis, tha se raporti i Grupit Studimor mbi Irakun përfaqëson edhe pozitën e partisë së tij për hartimin e një kursi të ri në atë vend.

"Raporti konfirmon atë që shumë nga ne e dimë, se politika e presidentit Bush për vazhdimin e kursit në Irak nuk është e efektshme. Ne kemi nevojë për një strategji të re.”

Zoti Reis u pajtua me rekomandimin e raportit që Shtetet e Bashkuara të angazhojnë në bisedime Sirinë dhe Iranin.

“Presidenti Bush nuk e ka bërë këtë, por ai duhet të angazhojë në dialog Sirinë dhe Iranin sepse nga kjo varet siguria e vendit dhe e ardhmja e 150 mijë trupave që ndodhen në Irak.”

Ditën e premte sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, tha se ajo është e gatshme për një dialog të gjerë me homologun e saj iranian, nëse Irani ndalon procesin e pasurimit të uraniumit dhe u kthehet negociatave mbi programin e tij bërthamor.

Në fjalimin e tij në radio, presidenti Bush tha se është përgjegjësia e republikanëve dhe demokeratëve për të bashkëpunuar në gjetjen e rrugës më të mirë përpara.

“E ardhmja e një rajoni rë rëndësishëm të botës dhe siguria e popullit amerikan varen nga fitorja në Irak. Jam i sigurt se ne do të kalojmë mosmarrëveshjet politike dhe të bashkëpunojmë për të arritur fitoren.”

Këtë javë presidenti pritet të takohet me zyrtarë ushtarakë dhe ekspertë të pavarur mbi Irakun.

XS
SM
MD
LG