Lidhje

OKB-ja e kthen varfërinë në çështje të të drejtave të njeriut


Në vitin 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Që nga jo ditë, 10 dhjetori ka shënuar Ditën Botërore për të Drejtat e Njeriut. Këtë vit Kombet e Bashkuara po përqendrohen në luftën kundër varfërisë si një e drejtë e njeriut.

Është herët në mëngjes në Monrovia të Liberisë dhe Shadroku bëhet gati të shkojë në punë. Shadroku është një nga pothuajse 3 miliardë personat në të gjithë botën që Kombet e Bashkuara vlerësojnë se jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Si shumë të tjerë në këtë vend të Afrikës Perëndimore të rrënuar nga lufta, ai nuk kishte para për të mbaruar shkollën dhe tani shtyn një karrocë, duke transportuar mallra përmes qytetit.

“Nuk kanë para të më dërgojnë në shkollë. Kështu vendosa të punoj, të marr rrogë, të fitoj bukën e përditshme dhe të ushqej fëmijët”.

Shadroku mezi e mban familjen me fitimet e tij të vogla. Është një cikël varfërie që është vështirë të ndërpritet. Një cikël që Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera po punojnë për ta ndryshuar, duke e cilësuar varfërinë si një çështje të të drejtave të njeriut. David Bradlow është drejtor i Programit për Studime Ligjore Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Washington.

“Mendoj se përfshirja e debatit për varfërinë në kuadrin e të drejtave të njeriut u dërgon qeverive një mesazh shumë të fuqishëm. Ato duhet të ndryshojnë këndvështrimin për përgjegjësitë që kanë, përsa u takon politikave të tyre, me mënyrën sesi e përdorin buxhetin; qeveritë janë përgjegjëse për t’u garantuar qytetarëve shërbime, si kujdesi shëndetësor, arsimi, strehimi dhe punësimi”.

Arsyetimi fillon me ripërkufizimin e varfërisë si shkak dhe rrjedhojë e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Kur njerëzve u mohohen të drejtat mes persekutimit dhe diskriminimit, mundësitë janë më të mëdha që ata të jenë të varfër. Michael Shifter është nënpresident për Politikën në Institutin për Politikat mbi Amerikën Latine, “Dialogu Ndëramerikan” në Washington.

“Mendoj se shkelja e të drejtave të njeriut shkakton varfëri dhe unë mendoj se kjo është një burim. Argumentimi mund të bëhet nga të dyja anët. Mendoj se shkeljet e të drejtave të njeriut bëhen nga njerëzit me pushtet për shtypur ata që nuk kanë pushtet. Dhe kushte të tilla çojnë në rritjen e varfërisë”.

Daniel Bradlow thotë se shtypja dhe varfëria shkaktojnë disa nga problemet më shkatërruese të botës, si armiqësia dhe lufta. Dhe lufta nga ana e saj, krijon edhe më shumë varfëri. Sipas statistikave të OKB-së, në 80 për qind të 20 vendeve më të varfëra të botës vshtv zhvilluar një luftë masive gjatë 15 vjetëve të fundit. Rreth gjysma e këtyre vendeve brenda pesë vjetësh përfshihet prapë nga lufta.

“Mendoj se varfëria është në një anë shkak i konfliktit dhe pasigurisë. Në vende ku ka shumë varfëri, ka më shumë shanse të ketë konflikt, pasi njerëzit luftojnë për burimet e kufizuara që kanë në dispozicion. Por gjithashtu, konflikti shkakton varfëri, sepse në situata me konflikte të rënda sociale, mundësia për t’u marrë me çështje të varfërisë është shumë më e vogël. Kështu, njerëzit ka më shumë mundësi të pllakosen nga varfëria, pasi shoqëria nuk përqendrohet tek përballimi i nevojave të tyre”.

Sipas Michael Shifterit zgjidhja për një jetë më të mirë për njerëz si Shadroku është që t’u bëhet presion qeverive që t’i trajtojnë çështjet sociale dhe ekonomike në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe si përparësi, ashtu siç janë bërë përparësi në botë të drejtat politike dhe civile.

“Mendoj se nevojitet me shumë forcë dhe trysni që qeverite të marrin përgjegjësi për njerezit të cilëve u mohohet ushqimi, arsimimi dhe të drejtat bazë të njeriut. Duke e paraqitur në këtë kuadër çështjen e varfërisë, pra duke e theksuar ate, do te mund te sigurohet një reagim të efektshem nga ana e qeverive”.

XS
SM
MD
LG