Lidhje

Berisha: Data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi sot edhe një herë qëndrimin e shumicës në pushtet se data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet.

Duke iu pergjigjur letrës që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i kishte drejtuar atij pak dite më parë si dhe thirrjeve për t’u tërhequr nga pozicione të mbështetura sipas zotit Rama në interesa personale, kryeministri Berisha shkruan se “nëse ekziston vullnet real politik, pra nëse partitë politike vendosin interesat e vendit mbi interesat partiake apo personale të drejtuesve partiakë, është ende plotësisht e mundur të realizohen më 20 janar 2007 zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarte të mira.”

Kryeministri në letrën e tij i ka kujtuar kryetarit socialist se prej mëse 6 muajsh ai ka kërcënuar bojkotimin e zgjedhjeve duke dëshmuar kështu sipas zotit Berisha, se bllokimin e listave opozita do ta perdorte si pretekst për t’u shmangur nga gara elektorale dhe pjesëmarrja në zgjedhje. Sipas kryeministrit çështja e listave u konceptua nga opozita “si çengel për të tërhequr zvarrë votën e lirë të shqiptarëve, demokracinë e tyre dhe vet Shqipërinë” gjë të cilën zoti Berisha e cilëson si një gabim historik fatal.

Por zoti Rama tha sot pas një mbledhje të kryesisë së partisë së tij se nuk mund të ketë zgjedhje në kushtet aktuale pasi sipas tij është ligjërisht e pamundur për çdo njësi administrative të përgatisë një listë të saktë në një periudhë kaq të shkurtër dhe pa asnjë afat që garanton kontrollin nga ana e qytetarëve. Po ashtu zoti Rama ka konsideruar si të pamundur garantimin e një procesi normal zgjedhor me certifikata, të cilat sipas tij janë lehtësisht të trafikueshme.

Por kryeministri edhe për këtë çështje është shprehur se në shumicën e vendit janë të majtët që kontrollojnë pushtetin vendor e për rrjedhojë firmosin edhe lëshimn e certifikatave.

Megjithatë, opozita do të presë reagimin e shumicës deri të hënën, kur është edhe afati i fundit për regjistrimin për në zgjedhje. Por nuk duket se mund të ketë ndonjë ndryshim qëndrimi të palëve dhe opozita mund të vendosë mos regjistrimin në zgjedhje si dhe të urdhërojë drejtuesit e saj localë që të mos perfshihen në procesin e hartimit të listave. //ze//

XS
SM
MD
LG