Lidhje

Augusto Pinoçetit do t'i bëhen nderime ushtarake por jo shtetërore


Trupi i ish diktatorit kilian Augusto Pinoçet është vendosur në një akademi ushtarake të Santiagos në përgatitje për funeralin e tij ushtarak që do të zhvillohet nesër.

Qeveria e Kilit tha se nuk do të organizojë funeral shtetëror dhe as do të shpallë zi kombëtare për Pinoçetin, i cili vdiq dje në moshën 91 vjeçare, një javë pas një goditjeje në zemër.

Presidentja Mishel Bashle’ e qendrës së majtë tha se do të tradhëtonte ndërgjegjen e saj po të merrte pjesë në një funeral shtetëror për gjeneralin. I ati i zonjës Bashle’ vdiq pas torturave në burg gjatë kohës që Gjenerali Pinoçet ishte në fuqi.

Vdekja e Pinoçetit u bë shkak për festime nga ana e kundërshtarëve të tij. Mijra njerëz dolën dje nëpër rrugët e Santiagos. Forcat e sigurimit u përleshën me një pjesë të demonstruesve dhe përdorën gazin lotsjellës si dhe pompat e ujit për të shpërndarë turmën.

Megjithatë, qindra simpatizantë të gjeneralit mbajtën zi pranë spitalit ushtarak ku vdiq ai. Ata e vlerësojnë ish diktatorin si një njeri që e shpëtoi Kilin nga komunizmi. //ze//

XS
SM
MD
LG