Lidhje

Veçoritë e materialeve të ndryshme bërthamore

  • Pitër Fedinski

Materialet bërthamore kanë veçori nga më të ndryshmet. Uraniumi apo plutoniumi i pasuruar kanë potencial të fuqishëm shpërthyes. Cesiumi emeton radiacion vdekjeprurës, ndërsa izotopet e disa substancave radioaktive, si taliumi mund të injektohen pa problem tek pacientët që u nënshtrohen procedurave mjekësore. Megjithatë, çdo lloj materiali bërthamor në duart e terroristëve mund të sjellë pasoja serioze.

Vitin e kaluar, 91 vende nënshkruan Konventën Ndërkombëtare të OKB-së për Ndalimin e Aktiviteteve të Terrorizmit Bërthamor. Konventa ndalon individët të zotërojnë materiale radioaktive me synimin për të shkaktuar vdekje apo dëmtime serioze. Por disa vende kanë masa të dobëta të sigurimit bërthamor.

Paul Leventhal, themeluesi i një instituti joqeveritar për Kontrollin Bërthmor thotë se terroristët mund të shfrytëzojnë dobësi të tilla.

"Shtetet që janë shqetësuese përsa i përket ndihmës që mund t’u japin organizatave terroriste janë Irani dhe Korea e Veriut. Do të ishte e rrezikshme në se ata do të ishin në gjendje të siguronin materialet, nuk është e thënë nga vetë aparati shtetëror por nga një apo dy fizikantë si Abdul Kani i Pakistanit. Mendoj se këtu duhet të përfshijmë edhe Pakistanin si një furnizues të mundshëm të organizatave terroriste".

Abdul Qadeer Khan ishte një nga ndërtuesit e bombës bërthamore të Pakistanit. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak pasi i shiti teknologji bërthamore Koresë së Veriut dhe Iranit. Pakistani mohon të ketë patur dijeni për këtë por Kahn vazhdon të jetë një hero kombëtar.

Një anëtar i kabinetit të Pakistanit, Sheikh Rashid Ahmad, tha vitin e kaluar se shkencëtari nuk do të dërgohet në ndonjë vend të tretë për t’u ndjekur penalisht.

"Po, ne e furnizuam Iranin me sistemin e centrifugës. Doktor Qadeer i dha Iranit teknologjinë, por ne nuk ia dorëzojmë askujt doktor Qadeerin".

Centrifuga përdoret në një proces të komplikuar dhe të kushtueshëm industrial për koncentrimin e uraniumit si lëndë djegëse për uzinat bërthamore. Përpunimi i mëtejshëm krijon materialin e duhur për bombën.

Paul Leventhal i Institutit për Kontrollin Bërthamor thotë se ky lloj materiali është shumë i vështirë, por jo i pamundur të sigurohet.

"Mund të supozojmë se një grup mund të ketë një operacion shumë të sofistikuar për të vjedhur apo për të siguruar materialin pa dijeninë e shtetit apo të një korporate, apo nga njerëz të brendëshëm".

Zoti Leventhal thotë se për bombën bërthamore nevojiten rreth 5 kilogram uranium apo plutonium i pasuruar.

Ivan Oelrich, fizikant me Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, thotë se ndërtimi i një bombe është më i thjeshtë sesa sigurimi i materialit të nevojshëm.

"Duhet të kesh njerëz që dinë të ndërtojnë modelet kompjuterike si dhe mekanikë; njerëz që dinë t’i ndërtojnë praktikisht komponentët e bombës si dhe të përdorin makinerinë".

Terroristët mund të përhapin gjithashtu frikë me të ashtuquajturën bombë primitive, ku materiali radioaktiv përhapet me eksplozivë të tipit konvencional.

Fizikani Ivan Oelrich thotë se materiali me radioaktivitet të lartë krijon një kërcënim të vërtetë fizik por mund edhe të vrasë vetë terroristët para se ata të kenë rastin ta shpërthejnë bombën. Ai thotë se ndotja me radioaktivitet të shkallës së ulët mund të përhapë terror psikologjik.

Një tjetër shembull i terrorit bërthamor do të ishte një sulm mbi një uzinë bërthamore, që do të kishte të njëjtin efekt si edhe bomba. Por Ivan Oelrich thotë se ndërtesat bërthamore kanë siguri të lartë.

"Nuk do të ishte e lehtë për një terrorist të ndërhynte në operacionet e një uzine bërthamore. Sigurisht, mund të ketë nga ata që mund të sabotojnë brenda uzinës. Por ka mënyra për të mos arritur deri këtu, pasi punonjësit kalojnë nëpër kontrollin e sigurisë".

Duke qënë se të mirat e teknologjisë bërthamore janë të lidhura me rrezikun për terrorizëm, ekspertët nënvizojnë nevojën e vazhdueshme për sigurimin e saj. Disa analistë si Paul Leventhal madje bëjnë thirrje për zhvillimin e burimeve të tjera alternative të energjisë për të mënjanuar një katastrofë të shkaktuar nga terroristët bërthamorë. //ze//

XS
SM
MD
LG