Lidhje

Parlamenti i Kosovës do të mblidhet më 14 dhjetor për herë të parë që kur LDK-ja zgjodhi kryetarin e saj

  • Linda Karadaku-Ndou

Parlamenti i Kosovës do të mblidhet më 14 dhjetor në një seancë të rregullt për të miratuar pjesë legjislative.

Kjo do të jetë mbledhja e parë e parlamentit, në të cilën do të shihet nëse koalicioni actual në pushtet, e ka numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve për të miratuar legjislacion, për të miratuar më vonë buxhetin e Kosovës dhe për të ruajtur qeverinë aktuale të kryeministrit Agim Çeku.

Pas kuvendit të Lidhjes Demokratike, grupimi i ish-kryetarit të parlamentit Nexhat Daci, ka të paktën 15 deputetë të vetët në parlament, nga 49 që ka LDK-ja në total. Partneri i LDK-së në koalicion, AAK e Ramush Haradinajt, ka 9 deputetë, partia e ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Sllavisha Petkovic, ka dy deputetë, ndërsa grupi 6 plus i pakicave, i cili mund të bëhet partner i mundshëm i koalicionit qeveritar, ka vetëm 7 deputetë. PDK-ja e Hashim Thaçit dhe Ora e Veton Surroit, janë në opozitë, së bashku me grupin për Integrim.

Nëse deputetët serbë të Oliver Ivanovicit do të merrnin pjesë në punimet e parlamentit, do të përbënin një shumicë të konsiderueshme dhe një partner të mundshëm për cilindo nga koalicionet që do të ishin në pushtet. Por tani për tani, kjo nuk duket e mundshme, pasi deputetët serbë nuk pritet të kthehen në parlament, jo të paktën derisa të vendoset për statusin. Koalicionit në pushtet, do ti duhen të paktën edhe 6 vota për të siguruar shumicën e nevojshme në parlamentin prej 120 vendesh, nga të cilat 20 janë të pakicave.

Kryetari i ri i LDK-së, presidenti Fatmir Sejdiu, ka mbështetur qeverinë aktuale. Grupi i zotit Daci, nuk e kundërshton zgjedhjen e zotit Sejdiu si kryetar i LDK-së, por kërkon që ai të gjejë forcën për të marrë vendime për të ruajtur unitetin e partisë, para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të saj.

Një nga personalitetet e këtij grupi, Naser Rugova, i tha sot Zërit të Amerikës, se ata po kërkojnë alternativat e bashkëpunimit, se do të mbeten pjesë e Lidhjes Demokratike, se do të përpiqen për unitetin e saj. Zoti Rugova tha se ajo që kërkon ky grupim janë kompromiset politike, jo compromise kundër procedurave, por compromise për format e bashkëpunimit.

Zoti Rugova nuk dha hollësi se për çfarë lloj kompromisesh bëhet fjalë, por kërkoi që të bëhet riorganizim dhe profilizim i partisë, marrëveshje për punën e institucioneve të LDK-së. Zoti Rugova tha gjithashtu se nuk bëhet fjalë më për Këshillin e Përgjithshëm të Partisë, i cili konsiderohet çështje e mbyllur, megjithëse numri i mbështetësve të zotit Daci në të, është simbolik, dhe po kështu theksoi përkrahjen për kryetarin e ri të LDK-së, presidentin Sejdiu.

Gjatë kësaj jave, do të pritet të shihet sesi do të ndryshojë matematika e votave në parlament dhe nga kjo do të varen të gjitha zhvillimet e mëtejshme, edhe vetë qeveria e kryeministrit Agim Çeku.

XS
SM
MD
LG