Lidhje

Roli i qytetit të Nju Jorkut në sistemin e skllavërisë në SHBA


Në vitin 1990 zbulimi i një varreze afrikane në pjesën e poshtme të lagjes Manhatan të Nju Jorkut bëri të fillohen kërkime të reja mbi skllavërinë në këtë qytet.

Si rezultat, u organizua ekspozita “Nju Jorku i Ndarë: Skllavëria dhe Lufta Civile” një serial një vjeçar mbi skllavërinë në Shoqatën Historike të Nju Jorkut, e cila dokumenton zhvillimet nga viti 1815 deri në përfundim të Luftës Civile amerikane në vitin 1865.

Historiani James Horton thotë se rëndësia e skllevërve për ekonominë e shteteve veriore dhe atyre jugore shpesh nuk merr rëndësinë e duhur.

"Një ndër faktet që do të mësosh në këtë ekspozitë është se skllavëria kishte rëndësi qëndrore në jetën dhe ekonominë amrikane. Skllavëria, në periudhën para Luftës Civile ofronte krahun e punës për prodhimin e pambukut. Ky artikull ishte gurë-themeli për ekonominë amerikane. Vlera e pambukut të eksportuar nga Shtetet e Bashkuara ishte më e madhe se vlera e të gjitha produkteve të tjera të eksportit të marra së bashku".

Dengjet e pambukut që varen nga tavani i ekspozitës i ndihmojnë vizitorët të imagjinojnë rëndësinë e këtij produkti.

Pjesa më e madhe e dërgesave të pambukut amerikan për në Evropë kalonte nga Nju Jorku dhe tregtarët e këtij qyteti fitonin 38 cent për çdo dollar të nxjerrë nga shitja e pambukut.

Historiani Horton thotë se dokumentat dhe objektet e asaj periudhe, të prezantuara në ekspozitë tregojnë identitetin e dyfishtë të Nju Jorkut si qendër e lëvizjes kundër skllavërisë dhe njëkohësisht si përkrahës financiar i skllavërisë si rrjedhojë e lidhjeve tregtare me shtetet jugore që lejonin skllavërinë.

"Kjo është një histori mbi Nju Jorkun, por pasi Nju Jorku është qytet kaq i rëndësishëm, kjo histori është e rëndësishme për të gjithë vendin. Kjo histori fillon me kontradiktën amerikane. Pra kushtetuta thotë se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë, të veshur nga Krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme, por nga ana tjetër, lejohet institucioni i skllavërisë. Kjo kontraditë e madhe amerikane shihet në veprim në këtë qytet të madh amerikan".

Ekspozita i njeh vizitorët me faktin se thuajse në çdo zgjedhje presidenciale nga viti 1832 deri në 1868, nju-jorkezët votonin në shumicë dërrmuese për demokratët, të cilët ishin pro-skllavërisë.

Presidentja e Shoqatës Historike Louise Mirrer thotë se ekspozita thyen imazhin për Nju Jorkun si një qytet liberal.

"Kishte dy prirje kryesore në Nju Jorkun e mesit të shekullit të 19-të. Njëra ishte liberalizmi karakteristik i Nju Jorkut, të cilën e shohim edhe sot. Kjo prirje nxiti edhe lëvizjen kundër skllavërisë duke u bërë epiqendër për këtë lëvizje në mbarë vendin. Por nga ana tjetër ekziston edhe realiteti tjetër, disi i panjohur: nju-jorkezët nuk votuan kurrë për Abraham Linkolnin. Shumë prej tyre ndjenin një kontradiktë brenda vetes kur binte fjala tek skllavëria".

Tensionet ndërmjet tregtisë dhe ndërgjegjes në Nju Jork rrëfehen ndërmjet dokumentave historike, ekspozitave dhe pjesëve teatrale që pasqyrojnë të dyja anët e debatit mbi skllavërinë.

Megjithëse ka kaluar thuajse një shekull e gjysmë që nga Lufta Civile Amerikane, çështja e skllavërisë mbetet një temë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe synimi i ekspozitës është të hedhë dritë në një prej periudhave më tragjike të historisë amerikane. //ze//

XS
SM
MD
LG