Lidhje

Presidenti Bush viziton sot Pentagonin në ditën e dytë të konsultimeve intensive tri ditëshe për politikën e tij në Irak


Diskutimi i Presidentit Bush me sekretaren e Shtetit, Kondolica Rajs dhe ekipet e saj në Uashington dhe Bagdad u zhvilluan nëpërmjet një telekonference me dyer të mbylluara. Zoti Bush tha se këshilla që ai merr nga njerëzit në terren, është një komponente e rëndësishme e strategjisë së re në Irak. “Pa asnjë dyshim ne duhet të garantojmë që Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes të koordinojnë ngushtë përpjekjet dhe rekomandimet, kështu që kur unë t’i drejtohem popullit amerikan, ai ta ketë të qartë se unë i kam dëgjuar të gjitha hallkat e qeverisë dhe se rruga përpara është rruga për të arritur objektivin e caktuar me sukses”.

Presidenti tha se diskutimi i tij u përqendrua gjithashtu në atë që ai e quajti rajonin fqinjë të Lindjes së Mesme që rrethon Irakun. “Ne besojmë se shumica e vendeve e kuptojnë se një shoqëri e bashkuar që ka një drejtim të përgjithshëm, një shoqëri që përbën një demokraci funksionale është në interesin e tyre. Dhe varet nga ne që t’i ndihmojmë ata të përqendrojnë vemendjen dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar Irakun të arrijë sukses”.

Javën e kaluar, zoti Bush mori rekomandimet e Grupit Studimor për Irakun, të përbërë nga pesë republikanë dhe pesë demokratë. Në rekomandimet e grupit përfshihen edhe bisedimet me Iranin dhe Sirinë. Por Shtëpia e Bardhë thotë se do ta angazhojë Iranin në bisedime vetëm kur ai vend të pezullojë aktivitetet e tij për pasurimin e uraniumit. Grupi rekomandoi gjithashtu tërheqjen e trupave luftarake amerikane që nuk nevojiten për mbrojtje, në fillim të viti 2008.

Ndërkaq në Bagdad, Presidenti i Irakut, Jalal Talabani tha se disa nga rekomandimet e komisionit minojnë sovranitetin e vendit të tij. “Një nga rekomandimet e komisionit sugjeron që baathistët të vinë përsëri në skenën politike, gjë që është shumë e rrezikshme dhe që nuk respekton dëshirën e popullit të Irakut për të kontrolluar ushtrinë e tij dhe për të qënë i aftë të stërvitë forcat irakiane nën udhëheqjen e qeverisë së Irakut”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë sugjeruan fillimisht rishikimin nga vetë administrata të politikës në Irak brenda një kohe të shkurtët, që presidenti të njoftonte strategjinë e mundëshme të ndryshimeve brenda dy javësh. Por mbetet ende punë për t’u bërë, dhe ndërsa zyrtarët thonë se duan të bëjë një njoftim javën e ardhëshme, ata nuk kanë bërë ndonjë premtim. //az//

XS
SM
MD
LG