Lidhje

Shoqata e Gazetarëve Kroatë dënon pezullimin e tre gazetarëve


Shoqata e Gazetarëve Kroatë dënoi pezullimin e tre gazetarëve të televizionit për transmetimin e komenteve që mund të ketë bërë Presidenti Stipe Mesiç dhe në të cilat glorifikohej e kaluara pronaziste e Kroacisë.

Zyrtarët në televizionin shtetëror të Kroacisë pezulluan tre redaktorë sepse nuk treguan gjykim kritik në vlerësimin që i bënë kontekstit të një fjalimi që duket se ishte mbajtur nga zoti Mesiç në vitet 90.

Në segmentin e videos prej 30 sekondash, një zë që i ngjan atij të zotit Mesiç dëgjohet të thotë se Kroacia fitoi dy herë gjatë Luftës së Dytë Botërore – së pari kur themeloi një shtet kukull nazist dhe më vonë kur antifashistët dërrmuan nazistët në vitin 1945.

Të djelën, gjatë një fjalimi në televizion, zoti Mesiç tha se nuk i kujtohej të kishte bërë një deklaratë të tillë, e cila fillimisht u publikua në internet të shtunën. Zyra e tij nuk e përjashton që deklarata të jetë e vërtetë, por tha se ajo mund të jetë marrë jashtë kontekstit.

XS
SM
MD
LG