Lidhje

Kofi Annan i bën thirrje SHBA-së të mos sakrifikojë idealet e veta në luftën kundër terrorizmit

  • Piter Hainlain

Zoti Annan vizitoi jo pa qëllim Muzeun dhe Librarinë Presidenciale Truman në qytetin Independence të shtetit Mizuri për të të mbajtur fjalimin e tij të fundit si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Truman ishte president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1945, kur u themelua organizata botërore.

Duke folur para politikanësh, akademikësh e të tjerëve, zoti Annan lavdëroi përpjekjet e Presidentit Truman për të ndihmuar në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse Sekretari i Përgjithshëm nuk e përmendi me emrër administratën e Presidentit Bush, ai e bëri të qartë se nuk ishte i kënaqur me rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara. “Shekullin e fundit, amerikanët bënë aq shumë për të ndërtuar një sistem të efektshëm shumëpalësh me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në qendër të tij. A nevojitet ky sistem sot më pak dhe a ka nevojë për ne më pak se para 60 vjetësh? Padyshim, jo. Më shumë se kurrë, amerikanët, ashtu si pjesa tjetër e njerëzimit, kanë nevojë për një sistem botëror funksionues, përmes të cilit bota e popujve të mund të përballet bashkarisht me sfidat globale. Dhe, që të funksionojë, sistemi ka ende aq shumë nevojë për një udhëheqje largpamëse amerikane, sipas traditës së lënë nga Presidenti Truman”.

Zoti Annan i tërhoqi vërejtjen Uashingtonit të mos braktisë idealet e tij, ndërsa zhvillon luftën kundër terrorizmit global. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht në pararojë të lëvizjes globale për të drejtat e njeriut. Por roli udhëheqës mund të ruhet vetëm nëse Amerika i mbetet besnike parimeve të veta, përfshirë luftën kundër terrorizmit. Kur duket se po i braktis idealet dhe objektivat e veta, miqtë e saj jashtë kuptohet që tronditen dhe turbullohen”.

Zoti Annan, në mënyrë të përsëritur kujtoi emrin e Herri Trumanit dhe përmendi Shtetet e Bashkuara që u kërkonin vendeve të vepronin siç u takonte dhe të respektonin rregullat e lojës. “Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë botës shembullin e një demokracie, ku të gjtihë, përfshirë më të fuqishmit, i nënshtrohen kufizimeve tëligjit. Në momentin e tanishëm kur ka supremacinë e botës, gëzon mundësinë e paçmuar për të shtrirë të njëjtin parim në nivel botëror. Siç thoshte Herri Truman, ne, të gjithë, duhet ta dimë se, pavarësisht sa të fuqishëm jemi, duhet t’ia mohojmë vetes lirinë për të vepruar gjithmonë siç na pëlqen”.

Disa ligjvënës nga Partia Republikane e Presidentit Bush shprehën zemërim ndaj komenteve të zotit Annan. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, që po largohet nga posti, ligjvënësi Henri Hajd, tha se Sekretari i Përgjithshëm nuk përmendi keqadminsitrimin e papërmbajtur financiar dhe moral në Organiaztën e Kombeve të Bashkuara. Ai e quajti fjalimin e zotit Annan rast klasik të dezinformimit kundër Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shan Mëkormak, tha se zoti Annan ka të drejtë të ketë mendimet e veta. Ai tha se asnjë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së nuk mund të jetë në mirëkuptim të plotë me Shtetet e Bashkura apo ndonjë vend tjetër në lidhje me politikat e tyre. //az//

XS
SM
MD
LG