Lidhje

Presidenti Bush do ta shpallë politikën për Irakun në fillim të 2007-tës

  • Paula Wolfson

Presidenti pritej të mbante një fjalim të rëndësishëm përpara fundit të vitit, për të paraqitur një strategji të re në Irak. Por ai ka vendosur t’u japë pak më shumë kohë shqyrtimit dhe procesit të rekomandimit dhe ka pezulluar çdo njoftim mbi këtë çështje deri në fillim të vitit të ri.

Ai ka zhvilluar bisedime dhe po kërkon këshilla nga burime të shumta, përfshirë diplomatë, komandantë ushtarakë dhe ish-zyrtarë amerikanë. Ai po këshillohet gjithashtu edhe me udhëheqës irakianë, përfshirë nën-presidentin e Irakut, Tarik Al-Hashimi.

Pas takimit të tyre të djeshëm në shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se ata biseduan mbi masat që mund të marrin Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar qeverinë irakiane t’ia arrijë qëllimit. Presidenti nuk dha hollësi dhe asnjë tregues mbi mendimin e tij për ndryshimet e mundëshme strategjike në Irak. Ndërkohë ai foli në përgjithësi mbi dëshirën për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Irak.

Ai tha se zoti Hashimi, politikani më i lartë arab suni në Irak, ka humbur persona të familjes për shkak të dhunës sektare dhe megjithatë mbetet i vendosur për bashkimin kombëtar.

“Megjithë keqardhjen dhe dhimbjen që ai ndien, zoti Hashimi është i gatshëm të punojë për një Irak të bashkuar dhe në paqe.

Presidenti Bush tha se nën-presidenti irakian foli në mënyrë elokuente mbi vuajtjet e familjeve irakiane në duart e ekstremistëve dhe vrasësve. Ai tha se objektivi amerikan është të mbështetë shumicën e irakianëve, të cilët kërkojnë paqe.

“Kështu zoti nën-president, mesazhi im për ju dhe popullin irakian, është sot se, ne kërkojmë të ndihmojmë qeverinë tuaj për të qenë efektive. Ne duam të ndihmojmë qeverinë tuaj të arrijë qëllimet dhe idetë e saj.”

Zoti Hashimi tha se situata është e vështirë, por theksoi se me vullnet të mirë dhe vendosmëri të madhe, Iraku mund t’ia arrijë qëllimit.

“Them se ka mundësi dhe unë mund t’ju siguroj se mundësia është e madhe dhe reale për të dalë nga dilema aktuale.”

Dje në mëngjes, presidenti Bush zhvilloi një telekonferencë me komandantët ushtarakë amerikanë në Irak, si dhe me ambasadorin amerikan në Bagdad, Zilmai Khalilzad.

Bisedimet u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, nuk pranoi t’u jepte hollësi gazetarëve. Zëdhënësi Snou tha se presidenti ka vendosur tashmë në vija të përgjithshme mbi ndryshimet strategjike në Irak, por ka nevojë për më shumë kohë për të hartuar hollësitë e ndryshimeve.

“Presidenti është informuar mbi çështje praktike dhe taktike dhe pa dyshim do të vazhdojë procesi i konsultimeve dhe do të vazhdojë puna deri në kohën kur presidenti të ketë formuluar një politikë dhe të jetë gati për ta bërë atë publike për vendin dhe të gjithë botën".

Zëdhënësi Snou tha se presidenti kërkon që kjo çështje të zgjidhet me shpejtësi, por edhe sa më mirë. //ze//

XS
SM
MD
LG