Lidhje

MekNelli: Në Shqipëri mungon sensi i bashkëpunimit


"Zgjedhjet vendore në Shqipëri mund të organizohen shpejt dhe lehtë, megjithë kohën e shkurtër deri më 20 janar". - Kështu deklaroi Drejtori i Zyrës së Institutit Demokratik Amerikan për Shqipërinë, NDI, Shon MekNelli, i cili bën kritika të rrepta për sjelljen e partive shqiptare të të dy krahëve në zhvillimet e fundit politike.

"Të gjitha partitë po bëjnë atë çka besojnë se është më e mira politikisht për to, ndoshta sa u takon interesave politike afatshkurtra të tyre, por unë - tha zoti MekNelli - jam i shqetësuar nëse veprimi i duhur për një parti në një betejë politike, a është njëkohësisht edhe veprimi i duhur për demokracinë dhe të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë".

Drejtori i NDI-it për Shqipërinë thekson se aspiratat afatgjata të qytetarëve shqiptarë janë forcimi i institucioneve demokratike dhe integrimi i shpejtë i vendit në Evropë.

"Është e vështirë të shihet, nëse procesi dhe procedurat në lidhje me zgjedhjet po ndiqen si veprime të pjekura demokratike. - tha ai. - Po ashtu, është e vështirë të shihet nëse ky proces nxit një besim më të madh të Evropës, për të lëvizur në rrugën e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në institucionet evropiane".

Zoti MekNelli thotë se ka disa probleme që shtrihen përtej një beteje të thjeshtë midis dy partive politike këtu, dhe, sipas tij, është e rëndësishme që këto çështje të vlerësohen më shumë nga të dyja palët.

"Mendoj - tha ai - se çdokush prej politikanëve shqiptarë duhet të bëjë një hap prapa dhe të kuptojë implikime më të mëdha për atë që po ndodh këtu, sepse këto zhvillime kanë një ndikim më të madh mbi demokracinë shqiptare dhe integrimin evropian".

Por, si e vlerëson drejtori i NDI-it për Shqipërinë punën e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?

"Ky Komision ka një punë shumë shumë të vështirë dhe në kushtet e krijuara po punon shumë mirë. Është e vështirë të shohësh - tha zoti MekNelli - se si afatet për përgatitjen e zgjedhjeve nga disa muaj, në disa javë. Besoj se KQZ ka bërë mirë edhe interpretimet ligjore në lidhje me organizimin e zgjedhjeve".

Zoti MekNaelli thotë se shumë njerëz në Shqipëri besojnë që ndryshimet e duhura mund të bëhen shumë shpejt, nëse arrihen marrëveshje midis të gjitha partive politike.

"Ky sens i bashkëpunimit dhe i marrëveshjes është ajo çka mungon këtu në Shqipëri", - tha ai.

Sipas tij, njerëzit jashtë partive kanë vërejtur se partitë e të dy krahëve ndjekin pothuaj të njëjtat taktika politike dhe prodhojnë me to rrethana të njëjta.

"Ato i vendosin interesat afatshkurtra partiake përmbi shqetësimet afatgjata të popullit shqiptar". - tha zoti MekNelli. Ai tha se partitë politike duhet ta ndryshojnë këtë, duke rritur cilësinë e funksionimit të demokracisë.

"Mendoj se këtu zgjedhjet mund të organizohen shumë shpejt. - tha Drejtori i NDI-it për Shqipërinë. - Zgjedhjet janë themeli i demokracisë, dhe shumë vende të botës janë zhvilluar prej forcimit të demokracisë".

Ai shtroi pyetjen: "A bëhen zgjedhjet për politikanët, apo zgjedhjet janë për popullin?" Dhe u përgjigj po vetë: "Padyshim që zgjedhjet u shërbejnë qytetarëve".

"Zgjedhjet në janar janë të mundshme dhe ekziston koha për të ngritur dialogun midis kandidatëve dhe komunitetit. - theksoi zoti MekNelli. Këtu ekzistojë mundësitë dhe është i lehtë organizimi i shpejtë i zgjedhjeve".

Drejtori i zyrës së Institutit Demokratik Amerikan, NDI, për Shqipërinë, Shon MekNelli, thotë se zgjedhjet nuk e bëjnë demokracinë, sepse demokracia është më shumë se sa zgjedhjet, dhe këtë fakt shpresoj ta vlerësojnë politikanët shqiptarë dhe të ecin përpara, për të bërë atë [ka është e nevojshme jo vetëm për partitë e tyre, por edhe për qytetarët e tyre".//lk

XS
SM
MD
LG