Lidhje

Situata zgjedhore në Shqipëri mbetet kaotike


Situata zgjedhore në Shqipëri vazhdon të mbetet në një gjendje kaotike. Çdo orë që kalon, vetëm sa e bën më të largët çdo mundësi zgjidhjeje.

Askush nuk e ka të qartë panoramën që do të ofrohet në ditët që vijnë, kur tashmë opozita e majtë është tërësisht jashtë gare dhe kur e djathta vazhdon të jetë e vendosur t’i shkojë deri në fund procesit.

Ambasadori i OSBE-së Pavel Vacek ishte sot i përmbajtur në deklaratat e tij, kur foli për vështirësi të mbajtjes së zgjedhjeve në datën e caktuar dhe përsëriti thirrjen e lëshuar edhe dje nga Komisioni Evropian, që palët politike të mund të gjejnë një rrugëdalje:

"Sigurisht, që nuk është e pamundur që zgjedhjet vendore të zhvillohen më 20 janar, por ajo që është e sigurt është se nuk do të jetë e lehtë. Kjo pjesërisht për shkak të dështimit të klasës politike në arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore, e cila duhej t’u paraprinte zgjedhjeve të ardhshme. Sigurisht, ne jemi akoma në pritje, që shumica dhe opozita të jenë në gjendje të gjejnë një gjuhë të përbashkët në zgjidhjen e problemeve të mbetura" – tha ambasadori Vacek i cili refuzoi të komentonte faktin nëse këto zgjedhje mund të zhvillohen në përputhje me standartet. "Kjo mbetet të shihet dhe vëzhgohet" ,-tha ai.

"Tashmë ekziston Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, i ngritur nga ODIHR-i (Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut). Për këtë arsye, tani e tutje, shumë njerëz, përfshirë edhe mua, do të kufizohen në dhënien e opinioneve për procesin në vijim, -tha Vacek.

Kreu i këtij misioni, Jorgen Grunet nisi sot turneun e takimeve njohëse me përfaqësuesit shqiptarë, përpara se 30 vëzhguesit afatgjatë të instalohen në Tiranë. Bisedën e tij të parë zyrtare zoti Grunet e zhvilloi me Ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj, duke konfirmuar pjesëmarrjen e 400 vëzhguesve.

Sinjalet nga fronti politik nuk janë aspak inkurajuese. Palët vazhdojnë të qëndrojnë në të njejtat pozita, ndërkohë që kuadri ligjor ekzistues, i cili mbështet në kodin elektoral, nuk ofron zgjedhje teknike, duke qenë se pjesa dërrmuese e afateve janë tejkaluar tashmë.

Aq më tepër, situata është vështrësuar nga tërheqja e opozitës nga gara e për rrjedhojë, mospërfaqësimin e saj në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta e të treta.

Në gjendjen e sotme, zgjedhjet do të mund të zhvilloheshin vetëm në një të katërtën e vendit, pasi Komisionet zonale mund të ngrihen me përfaqësuesit e të djathtës vetëm në 50 përqind të zonave, aty ku ata kanë shumicën, por edhe këtu nuk do të ishte e mundur ngritja prej tyre e gjysmës së komisioneve të qendrave të votimit.//lk

XS
SM
MD
LG