Lidhje

Çeku në SHBA për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Dje, zoti Çeku u takua në Departamentin e Shtetit me Nënsekretarin e Shtetit Nikolas Bërns dhe me zyrtarë të tjerë amerikanë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon MeKormak tha sot se, ndersa Kosova po i afrohet fazës përfundimtare të përcaktimit të statusit të saj, takimet diplomatike do të intensifikohen.

“Kemi arritur në një pikë, ku zoti Ahtisari po i afrohet fundit të punës së tij, për të bërë propozimin për statusin dhe komuniteti ndërkombëtar do të veprojë bazuar në këtë rekomandim. Pra është normale që në këtë periudhë, në muajt e ardhshëm, të shihet një periudhë diplomatike më intensive”.- tha zëdhënësi.

Zëdhënësi tha se rekomandimi i zotit Ahtisari pritet të paraqitet në fillim të vitit të ardhshëm. Pas takimit, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e kryeministrit, zoti Çeku tha se ai ndihet i inkurajuar nga përkushtimi i Uashingtonit dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen pa vonesa të statusit të Kosovës.

Zoti Çeku pritet të marrë pjesë tani në takimin e Këshillit të Sigurimit në Nje Jork, ku shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker do të raportojë për përparimrin e bërë në Kosovë drejt plotësimit të standarteve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar. Takimi i Këshillit të Sigurimit pritet të fillojë pas pak.//lk

XS
SM
MD
LG