Lidhje

Sejdiu: Vendimet e kuvendit të LDK-së janë të plotfuqishme

  • Intervistoi: Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se e konsideron përfundimisht të mbyllur procesin zgjedhor që u bë në kuvendin e kësaj partie pak ditë më parë dhe se ajo që pritet tani është formimi i kryesisë së re të partisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Sejdiu tha se vendimet e kuvendit të LDK-së, janë të plotfuqishme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, a do të vazhdojë të ketë unitet Lidhja Demokratike, duke pasur parasysh problemet që pasuan kuvendin e saj.

Fatmir Sejdiu: Mendoj që po. Lidhja Demokratike ka një strukturë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe një potencial të mirë të kuadrove të saj dhe atë që ndodhi dëshirojmë ta përjetojmë vetëm si një histori të ligë në Kuvendin e 6 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, një sekuencë që nuk i ka hije filozofisë së saj dhe që natyrisht mund të ketë pasojat e veta që reflektojnë në shumë aspekte. Sido që të jetë, unë mendoj se është apel i përgjithshëm i antarësisë dhe i strukturës së saj organizative që LDK-ja të ecë më tej në funksionin e saj si partia më serioze politike në vend. Unë natyrisht që do të bëj përpjekje, me gjithë strukturën e re që do të dalë nga Këshilli i Përgjithshëm si Kryesi e Lidhjes Demokratike, të angazhohem edhe më shumë për ndërtimin e mekanizmave veprues të saj, për një qasje më të drejtpërdrejtë dhe më koherente me antarësinë. Funksioni i saj parësor është bërja e shtetit të Kosovës, përkatësisht realizimi i pavarësisë së Kosovës dhe kjo lidhet edhe me procese të tjera të rëndësishme që i kemi para vetes, posaçërim zgjedhjet në nivel lokal.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci dhe mbështetësit e tij kërkojnë që ju të bëni ndryshime në Këshillin e Përgjithshëm drejtues, të shtoni numrin në mënyrë që aty të përfshihen edhe njerëz të tjerë nga Partia. A ekziston ende mundësia që të bëhen këto ndryshime apo ka përfunduar?

Fatmir Sejdiu: Unë respektoj vendimet e Kuvendit. Kuvendi ka marrë atë vendim. Krahas listës që është propozuar, si ide që ka qenë pjesë e projektit, është bërë edhe një listë shtesë, në të cilën janë propozuar emra të shumtë dhe ajo listë është rishtuar edhe një herë, ju e keni parë, me përfaqësues të disa nga vendeve apo degëve jashtë në diasporë, dhe si e tillë është miratuar nga Kuvendi dhe s’është miratuar një herë, por është miratuar dy herë. Në këtë aspekt unë dëshiroj që thjesht të kuptohet se vendimet e Kuvendit janë të plotëfuqishme, dhe se Kuvendi ka përfunduar punimet pavarësisht se u krijua një situatë e rëndë më vonë. Natyrisht se mora konfirmimin e sërishëm të Kuvendit, të delegatëve, që ishin diku rreth 300 veta prezent në sallë dhe të cilët, natyrisht që u miratuan ato qëndrime duke miratuar edhe deklaratën kushtetuese, edhe deklaratën për vizion, plus deklaratën politike të Kuvendit, që është një dokument i rëndësishëm programor.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Daci dhe mbështetësit e tij kanë një numër të konsiderueshëm votash në Parlament. Sa e rrezikon kjo koalicionin qeveritar, qeverinë, institucionet të cilat bazohen në këtë koalicion qeveritar dhe në fund të fundit bazohen në një matematikë votash që është e domosdoshme, të paktën 61 për qeverinë.

Fatmir Sejdiu: Unë s’do të hyja në këtë strukturë votash, sa dhe kush ka. Unë mendoj se bërthama kryesore dhe gjithë ajo që është antarësi e LDK-së ka mbështetur dhe mbështet këtë rrugëtim që ne kemi bërë në kuptimin e ecjes më tej, natyrisht edhe vendimet e Kuvendit dhe nuk do të bëj matematikën. Për ne është shumë me rëndësi që të gjithë deputetët në këtë rast që ju insistoni të trajtohen deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse janë deputetë të lidhur me një mandat dhe me një program politik të një partie të fuqishme që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe janë deputetë që lidhen me një vizion politik që e kemi pasur të ndërtuar me filozofinë e Presidentit Rugova.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju të ardhmen e Lidhjes Demokratike, pas këtyre që ndodhën? A ekziston mundësia që ato që ndodhën të ndikojnë në elektorat, mundësia për të humbur elektorat apo mundësia për t’u ndarë Partia? Si e shihni ju të ardhmen e Lidhjes Demokratike?

Fatmir Sejdiu: Unë po e përsëris këtë të fundit që e thashë, ne kemi një filozofi, një rrugëtim të gjatë si Lidhje Demokratike e Kosovës dhe një kulturë politike të ndërtuar në themel jashtëzakonisht të thellë, dhe si e tillë ajo do të reflektojë me rezultate pozitive në gjithë kohën, duke pasur parasysh edhe kapërcimin e kësaj historie të keqe që ka ndodhë në mjedisin e saj, fatkeqësisht. Dhe e dyta, ne dëshirojmë vërtetë që tërësia e saj të ketë unitet. Mbase mund të jetë edhe dikush tjetër që mund të ketë qasje tjetër, është e drejtë demokratike që secili të ketë vizionin e vet. Fundja Lidhja Demokratike e Kosovës, fuqinë e saj e mban edhe tek shumësia e ideve dhe mendimeve.

XS
SM
MD
LG