Lidhje

Joakim Ryker paralajmëron se shtyrja e vendimit mbi statusin e Kosovës mund të nxisë destabilizimin

  • Piter Hainlain

Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në Kosovë, Joakim Ryker, thotë se atje është rritur ankthi që nga koha kur fuqitë perëndimore shtynë marrjen e vendimit për statusin përfundimtar, deri pas zgjedhjeve të muajit të ardhëshëm në Serbi. Duke paraqitur një raport mbi gjendjen në Kosovë, zoti Ryker tha dje se ruajtja e qetësisë është qënësore për procesin e statusit në provincën e brishtë me shumicë myslimane.

“Shtyrja do të thotë më shumë se humbje kohe. Shtyrja do të rritë tensionet dhe do të jetë në favor të ekstremistëve nga të gjitha palët. Shtyrjet nuk do të lehtësojnë arritjen e një zgjidhjeje, por do ta vështirësojnë atë.”

Ai shtoi se asnjeri nuk është i interesuar në shtyrjen e procesit për të vendosur mbi të ardhmen e Kosovës.

Por ambasadori rus, Vitali Çurkin, u shpreh se kërcënimi për trazira masive përbën shantazh nga udhëheqësit e Kosovës. Ai tha se çdo masë për nxitjen e dhunës mund të shkaktojë shtyrje të mëtejshme dhe ndoshta pezullimin e procesit të statusit.

Diplomatët e OKB-së thonë se zgjidhja e mundëshme për statusin e Kosovës është pavarësia nën kontrollin e Bashkimit Evropian, me praninë e një force paqeruajtëse të NATO-s që aktualisht numëron 17 mijë trupa.

Ambasadori i përkohëshëm i Uashingtonit në OKB, Alehandro Ulf, u bëri thirrje të gjitha palëve të jenë realiste për zgjidhjen e ardhëshme.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, mori pjesë në takim, por nuk foli. Pas takimit ai u tha gazetarëve se ka besim se pavarësia e Kosëvës është e afërt.

“Ne kemi bindjen e thellë se Kosova do të jetë e pavarur sepse është varianti më i përshtatshëm, më praktik dhe më i drejtë. Asnjë lidhje politike me Beogradin nuk do të funksiononte."

Kreu i zyrës serbe në Kosovë, Sandra Rashkoviç Iviç, i tha Këshillit të Sigurimit se Beogradi kërkon rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve të Vienës për çështjen e statusit.

Negociatori i OKB-së për Kosovën, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, do të paraqesë propozimin mbi statusin pas zgjedhjeve të 21 janarit në Serbi. //ze//

XS
SM
MD
LG