Lidhje

Vazhdon kriza zgjedhore në Shqipëri


Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Goran Lennmarker, po viziton Tiranën në mesin e një situate të trazuar politike, ngarkuar me mosmarrëveshje për zgjedhjet vendore.

Zoti Lennmarker po takohet me zyrtarët më të lartë të shtetit, qeverisë dhe politikës shqiptare, për të diskutuar vështirësitë e krijuara në lidhje me procesin zgjedhor dhe pretendimet reciproke të maxhorancës dhe opozitës.

Pas takimit me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ai diskutoi për afro një orë e gjysëm me kryeministrin dhe kryetarin e PD, Sali Berisha, të gjitha hollësitë e mospajtimeve me opozitën.

Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE nuk dha asnjë deklaratë për shtypin, sepse do të vazhdonte serinë e takimeve me përfaqësues të forcave të tjera të gjithë spektrit politik. Ndërsa kreministri Berisha shprehu gadishmërinë për dialog dhe mirëkuptim me opozitën për organizimin e zgjedhjeve. Unë e sigurova zotin Lennmarker se qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme në respekt të ligjeve dhe të kushtetutës së vendit. Ftoj opozitën dhe është e mirëpritur. Jemi gati që qysh nesër të votojmë të gjitha amendamentet që kanë të bëjnë me marrëvehsjen e gushtit" - tha ai.

Kryeministri Berisha tha se data e zgjedhjeve është dekretuar tashmë nga Presidenti Moisiu, si 20 janar 2007 dhe nuk mund të negociohet. "Nuk mund të negociojmë atë që nuk është në kompetencën tonë, që s'la asnjë lloj tagri kurrkush nga ne dhe askush sot në Shqipëri për ta negociuar po të referohesh ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Jemi të hapr të negociojmë për të gjitha apsektet për të cilat opozita, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile besojnë dhe mendojnë se mund të përmirësojnë procesin si të lirë dhe të ndershëm" - tha zoti Berisha.

Po sot kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, deklaroi se maxhoranca nuk po u jep mundësinë qytetarëve që të verifikojnë emrat në lista e votuesve. Gjatë një takimi me anëtarë të kryesisë dhe përfaqësues të strukturave të PS nga rrethet, zoti Rama e ftoi kryeministrin Berisha të analizojë detajet e shqetësimeve të opozitës, dhe të ulet në tryezën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Ai tha se "opozita nuk është e shqetësuar për çertifikatat që nxjerr pushteti vendor, por është e shqetësuar për mundësinë e trafikimit të çertifikatave nga vetë strukturat qeveritare për të manipuluar zgjedhjet dhe rezultatet". Maxhoranca dhe opozita nuk po gjejnë mirëkuptimin për të bashkëpunuar në përgatitjen e zgjedhjeve vendore, vazhdojnë të dyshojnë, duke akuzuar njëra tjetrën për qëllime dashakeqe ndaj ecurisë së procesit zgjedhor. //rd//

XS
SM
MD
LG