Lidhje

2007-ta, Viti Ndërkombëtar Polar


Viti 2007 është Viti Ndërkombëtar Polar. Është një përpjekje ndërkombëtare për të nxitur studimet shkencore në vendet më të largëta të Tokës, kryesisht sepse shumë njerëz të shkencës i konsiderojnë polet e Veriut dhe Jugut thelbësore për jetën në planet. Sipas një studimi, nëse ngrohja globale vazhdon, nivelet e detit mund të rriten disa metra deri në fund të shekullit.

Ekuilibri delikat mes diellit, ujit dhe akullit ndikon jashtëzakonisht tek jeta në planetin tokë. Kështu, janë rritur shqetësimet për ngrohjen globale dhe është ndërmarrë një përpjekje e koordinuar nga shkencëtarët për të përshpejtuar studimet polare. Këtë vit u vu re një shkrirje e madhe në të dyja polet. NASA dhe të tjerë konfirmojnë se toka është ngrohur vetëm dy gradë që nga viti 1900. Ndoshta mund të mos duket një rritje e madhe, por temperaturat më të larta sjellin ndryshime të skajshme të motit. Sipas një studimi të fundit, nëse vazhdon ngrohja globale, nivelet e detit mund të jenë rritur disa metra deri në fund të shekullit.

Polet janë të bukura dhe të çuditshme, ku dielli zhvendoset anash, netët zgjasin për muaj me radhë dhe erërat e acarta gërryejnë relievin. Poli i Veriut është një pllakë akulli që lundron mbi sipërfaqen e Oqeanit Arktik, një territor i lëvizshëm ku banojnë krijesa magjepsëse mbi dhe poshtë akullit. Poli i Jugut, që është më i ftohtë ndodhet mbi kontinentin masiv, të ngrirë të Antarktidës. Masa e jugore e akullit është mbi 2200 metra e trashë, mesatarisht. Ajo përbën 90 për qind të akullit në botë, 70 për qind të ujit të saj të pastër. Nën këto ujëra të akullta, studiuesit gjejnë një botë plot jetë. Dale Anderson është shkencëtar: “Pjesa më e madhe e kësaj zone nuk është eksploruar, apo nuk është parë kurrë nga sytë e njeriut. Ishte befasuese për mua të shihja një larmi kaq të madhe jete nën akull”. Bëhet fjalë për shembull për një peshk me një sistem natyror kundër ngrirjes që nuk e lë trupin e tij të ngrijë dhe kandila të stërmëdhenj me tentakula 15 metra të gjatë. Ka edhe krijesa të tjera në fundin e detit: një pyll i heshtur, pak i frikshëm plot me gjallesa mikroskopike. Studiuesi George Simmons shpjegon: “Kur mbërrita në fund vura re se gjithçka lëkundej përreth meje, sikur po shkelja në një enë plot me xhelatinë”.

Shkencëtarët thonë se këto ujra të akullta polare japin shumë mësime për misterin e jetës në botën tonë dhe në botë të tjera të largëta. //rd//

XS
SM
MD
LG